Numri dy i qeverisë, Erion Braçe në foltoren e Kuvendit lezoi disa nene të Kushtetutës për të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe për t’ju përgjigjur Kreut të Shtetit Ilir Meta. Sipas Braçes, ai ka bërë çdo gjë me Kushtetutën, por për të lexuar nuk e ka lexuar atë.

“Në këtë vend, ka pak ditë që është bërë e modës të kërkosh në rafte e dollape, në ato që deri dje, ose ishin bosh, ose mbaheshin verë, shampanjë, pije alkoolike, uiski, xhin, e madje edhe para të pista të kërkosh Kushtetutën. Ta mbash në dorë Kushtetutën, të komentosh Kushtetutën, të bësh poza me Kushtetutën, t’i bësh këto me pasion e forcë, të dukesh si i ndershëm në atë që bën, por vetëm një gjë nuk e bën: Të lexosh Kushtetutën”,- tha Braçe.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet projekt-rezoluta e Kuvendit për shfuqizimin e e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta, zv/kryeministri Braçe duke lexuar disa nene të Kushtetutës u shpreh se “sikur Presidenti Ilir Meta të kishte lexuar Kushtetutën do të kishte shumë më tepër përgjegjësi dhe përgjegjshmëri në njoftimet, se nuk janë as vendime të lëshuara publikisht. Referuar këtyre neneve dua të ndalem në dy çështje , e para e drejta themelore për të votuar, zgjedhur e për tu zgjedhur pushtet pa zgjedhje nuk ka, pushtetet sa të duash e më të duash nuk ka dhe nuk do të ketë”.

Sipas tij, dekreti i Metës për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit është krim më i madh që i është bërë Kushtetutës dhe demokracisë.

“E drejta për të zgjedhur me votë përfaqësuesit në Kuvend, qeverisjen vendore dhe qendrore nuk mund të pezullohet, të shfuqizohet jo e jo, nga kërkush pavarësisht ofiqit dhe madhësisë së zyrës që ka . Kjo është risia kushtetuese që kërciti 5 ditë më parë direkt nga selia e Presidentit, krim më të madh kushtetues se ky nuk ka, deformim më të rëndë të demokracisë se ky nuk ka tentuar askush të bëjë”, – nënvizoi Braçe.

Sipas tij, zgjedhjet në 1996 u dhunuan, manipuluan e shkatërruar, por e drejta themelore e shtetasve për të votuar nuk është pezulluar apo shfuqizuar as atëherë.

“Në 2021 imagjinoni që PS të dalë e të thotë nuk dua këtë datë të zgjedhjeve, i bie të rrijë pa fund në pushtet ose deri kur të gjithë të binden e të bëjnë zgjedhjet siç i do PS.
Precedenti i rëndë i krijuar nga presidenti nuk duhet legjitimuar. Khehuni në 2013, PS hyri në zgjedhje, pasi e vodhën këta që duan të krijojnë këtë precedent, PS hyri në zgjedhje pa pasur kërkënd në KQZ, ne nuk duam pushtet pa zgjedhje ne kurrë nuk e kemi bërë dhe nuk ndodh t’i shfuqizojmë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur”-, theksoi Braçe.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb