TIRANË- Megjithëse pritej që të ishte deputeti Tom Doshi, ai që do të paraqiste “faktet rrëqethëse” te reja për akuzat e tij, ka qenë Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho ai që ka paraqitur këto “fakte”. Në një deklaratë për mediat, Braho ka bërë publik raportin mjekësor që disa ditë më parë deputeti Tom Doshi dorëzoi në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve të Kuvendit, që sipas tij është lëshuar nga burri i punonjëses së tij. Braho tha se këto fakte tregojnë se “Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës”.

“Jam këtu për të paraqitur një fakt tjetër rrëqethës të falsifikimit të zotit Doshi. Raporti i fundit i zotit Doshi dorëzuar Këshillit të Rregullores është lëshuar nga mjeku Eduart Shota, i cili është i martuar me zonjën Aurela Shota. Aurela Shota është punonjëse e Profarmës, me detyrë nëpunëse e marrëdhënieve me publikun, pra me një fjalë Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës. Ashtu si video e Tomës me Tomën, ashtu si dëshmia e Durim Bamit, ashtu si dëshmia e Çinarit. Ky është qarku, që siç e shihni është i mbyllur. Fakte të tjera rrëqethëse do të kemi më pas, do të takohemi përsëri”, tha Braho.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku do të diskutohej kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ishte planifikuar të mbahej të hënën por u shty, pasi Doshi paraqiti një raport mjekësor ku tregohej se kishte probleme shëndetësore për shkak të luhatjes së tensionit. Këshilli i Mandateve dhe Rregullores mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e organit të akuzës.

 

Deklarata e plotë për mediat e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho

 

Ndodhem për të biseduar me ju për të paraqitur një fakt tjetër rrëqethës i falsifikimit të ri të z. Tom Doshi. Fakti rrëqethës dhe që duhet të vlerësohet sa më shpejt nga Prokuroria është raporti i fundit i z. Tom Doshi dorëzuar Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, i cili është lëshuar nga mjeku Eduart Shota, i spitalit Privat. Ky është raporti mjekësor. Çlidhje ka ky mjek me këtë çështje dhe siç do ta kuptoni shumë lehtë po ju sjellim faktin e mëposhtëm.

Mjeku Eduart Shota, siç rezulton nga certifikata e Gjendjes Civile është i martuar me znj. Aurela Shota. Kjo është edhe certifikata e Gjendjes Civile.

Sqarojmë se znj. Aurela Shota, siç rezulton nga dokumentet është punonjëse e Profarmës me detyrë nëpunëse e marrëdhënieve me publikun.

Pra me një fjalë, Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës, ashtu si video e Tomës me Tomën e Durim Bamit, ashtu si edhe dëshmia e Petrit Çinarit të sëmurë që po merrte për dhuratë një apartament nga z. Doshi. Ky është qarku dhe siç e shikoni është shumë i djegur.

Lëshimi i këtij raporti mjekësor është një tjetër fakt rrëqethës falsifikimi dhe sajese të cilën prokuroria ka detyrim ligjor t’i shkojë deri në fund duke zbërthyer këtë proces manipulimi që finalizohet përsëri me këtë raport mjekësor që Toma i lëshon vetes nëpërmjet Tomës, apo burrit të gruas punonjëse e Tomës. Fakte të tjera rrëqethëse do të keni më pas. Do takohemi përsëri. Ju faleminderit

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: