TIRANE-Kryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i LSI­së Spartak Braho, kërkon ndryshime në qeveri, ndërsa vlerëson kreun e kësaj partie, Ilir Meta, si lojtar i mirë në shahun politik.
Në një intervistë për “A1 Channel” në Shkodër, ai shprehet se reforma në Drejtësi nuk mund të votohet pa opozitën, ndërsa i kujton Edi Ramës si kryetar i PS­së se nuk duhet të harrojë figurat që kanë kontribuar në këtë parti.

Zoti Braho, si e vlerësoni dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, mendoni se ka probleme brenda maxhorancës qeverisëse?
Dorëheqja e zotit Naço ishte një veprim qytetar që duhet vlerësuar. Në përgjithësi, të dy aleatët, Ilir Meta dhe Edi Rama, kanë rënë dakord për lëvizjet e tyre politike, rrugët ku do të ecë koalicioni, programin ku do të arrijë ky koalicion. Natyrisht punët nuk shkojnë vaj dhe ka nevojë për rifreskim të qeverisë. Mendoj se janë të domosdoshme.
Dorëheqja e Nasip Naços nga shumë analistë është cilësuar si presion i kryetarit të LSI­-së ndaj Kryeministrit Rama për ndryshime në kabinetin qeverisës, por që Kryeministri Rama i ka mohuar. Ju si mendoni?
Ilir Meta është një shahist i mirë në politikë. Kur bën një lëvizje politike, parashikon edhe 40 të tjera më pas. Meta luan me të tëra figurat, edhe me ushtarët. E kam thënë dhe një ditë më parë se këto janë impulse jo vetëm për ato që ka thënë kryetari Meta, por edhe për ato që ka thënë edhe Kryeministri Rama. Burri luan, guri s’luan! Shpresojmë edhe për ndryshime të tjera. Gradualisht, brenda këtij viti, besoj se do të ketë edhe përmirësime të tjera.
Duket se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste nuk kanë përputhje të plota qëndrimesh sa i takon reformës në Drejtësi, për këtë ju keni dërguar pranë Komisionit të Venecias dhe propozimet tuaja…
Reforma në Drejtësi kërkon shumë energji, punë profesionale. Në shumë pika janë gjetur koncepte dhe qëndrime të përbashkëta me opozitën. Për shembull, ligji për dekriminalizimin pothuaj është dakordësuar plotësisht. Sa i takon reformës në Drejtësi, ne mbështesim idenë se ajo duhet të jetë konsensuale. Nuk mund të bëhet reforma në Drejtësi pa pjesëmarrjen e opozitës. Rrugës ndeshemi dhe me koncepte të ndryshme. Ne kemi qenë kundër idesë për mjekësinë falas. Unë i përkas atij mendimi që Shqipëria është në rrugën e duhur, sepse po të bësh analizën se si erdhi e majta në pushtet, duhet të kemi parasysh gropën ku kishte përfunduar ekonomia shqiptare.
Jo pak është folur në opinionin politik për zgjedhje të parakohshme. I shihni në horizont këto zgjedhje apo mendoni se ato do të zhvillohen në 2017-n?
Zgjedhje të parakohshme ka kur ka krizë politike, aktualisht ne nuk jemi në krizë. Kriza është tek e djathta institucionalisht. E majta nga ana e saj është defiçente sa u përket premtimeve, por jo se ka krizë. Ne jemi të aftë të miratojmë ligjet që kërkojnë 3/5­at me 84 vota.
Nëse opozita nuk pranon ndryshimet kushtetuese, do të ishte një kosto e madhe për të, ashtu si në ’98­n.
Ju jeni një socialist i vjetër, si e shikoni Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste?
Historia e PS­së kërkon më shumë respekt për ata breza që punuan në këto 25 vite. Në përvjetorin e qershorit, nuk pashë figurat historike. Historia nuk fillon kur vjen një apo një tjetër, këtij fakti duket se nuk i shpëtoi Edi Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: