TIRANE- Kryetari i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, ka folur sot për Byronë Kombëtare të Hetimit. Braho ka ngjitur shqetësimin për vonesën në kohë për ngritjen e kësaj byroje, duke u shprehur se Qeveria duhet të kishte sjellë draftin në Parlament.

Braho ka theksuar se Byroja Kombëtare e hetimit është një strukturë e domosdoshme brenda prokurorisë.

“Nuk e kuptoj pse po vonohet ngritja e byrosë. Qeveria duhet të kishte sjellë draftin në Parlament. Kjo byro është një strukturë e domosdoshme brenda prokurorisë”, thotë Braho.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ndërsa pohoi domosdoshmërinë e ngritje së kësaj strukture, theksoi se partitë aleate të koalicionit qeverisës, PS dhe LSI, nuk kanë asnjë mosmarrëveshje mes tyre për ngritjen e Byrosë së Hetimit.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje PS-LSI për këtë institucion. Pas rrëzimit nga Kushtetuesja nuk ka ardhur material për këtë ligj, ndërsa ngritja e kësaj strukture është e domosdoshme”, tha Braho.

Ai theksoi se Byroja e Hetimit duhet të jetë nën varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme, ndersa vuri në dukje vonesat e panevojshme në ngritjen e kësaj strukture.

Në përgjigje, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, tha se puna për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, organi që do të hetojë zyrtarët e korruptuar, është drejt përfundimit. Sipas ministrit po ndiqen të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e saj, në mënyrë që të luftohet korrupsioni edhe në nivelet e larta.

“Është një proces konsultimi i vazhdueshëm edhe më partnerët. E sigurt është që në kuadër të rilindjes së Policisë së Shtetit, forcimit të kapaciteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionin, në kuadër dhe të rezultateve mjaft inkurajuese të vitit të kaluar, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që është një propozim i Kryeministrit dhe i qeverisë do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin veçanërisht në nivele të larta. Kjo është ende në kolaudimet finale dhe ndjek një proces të tërë nuk ka asnjë arsye për të besuar që zgjatja e kohës që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit do të dëmtojë procesin”, tha ministri Tahiri.

Më 17 prill 2015 Gjykata Kushtetuese rrëzoi krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, krijimi i së cilës ishte parashikuar në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, i miratuar në vitin 2014 me votat e maxhorancës.

Gjykata e konsideroi “të papajtueshëm me Kushtetutën”, ngritjen e kësaj strukture, e cila u kundërshtua nga opozita, por në atë kohë dhe nga Presidenti Bujar Nishani, i cili e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Ngritja e Byrosë së Hetimit kishte dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht të FBI-së amerikane, e cila do të ndihmonte autoritetet shqiptare në funksionimin e këtij institucioni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb