TIRANE- Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho i ka dërguar sot shkresë Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ku i kërkohet informacion mbi ngjarjen e ndodhur në Aeroportin ‘Nënë Tereza’.

Ngjarja ku persona të maskuar dhe armatosur grabitën rreth 1 milion lekë të një banke të Nivelit të Dytë, ndodhi më 30 qershor, ndërsa vjedhja ngelet ende mister.

KËRKESA E BRAHOS
Drejtuar: Zotit Saimir Tahiri
Ministër i Punëve të Brendshme
I nderuar zotit Ministër!
Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e datës 04.07. 2016, krahas projektligjeve “Për kontrollin kufitar” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit”, me kërkesën e anëtarëve të Komisionit diskutoi dhe trajtoi me shqetësim ngjarjen e ndodhur në datën 30.06.2016 në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ Tiranë.

Anëtarët e komisionit në diskutimet e tyre analizuan dhe vlerësuan këtë ngjarje si një precedent që ka cënuar rendin publik dhe sigurinë kombëtare, ngjarja e cila kërkon vëmendjen maksimale në trajtimin e saj dhe marrjen e masave përkatëse nga ana tuaja në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë nga anëtarët e komisionit u kërkua nxjerrja e përgjegjësive nga institucionet përkatëse si Ministria e Punëve të Brendshme, autoritetet Aeroportit, shoqëria e sigurimit etj, si dhe u sugjeruan një sërë masash disiplinash, administrative e penale ndaj personave përgjegjës për pasojat e rrjedhura nga kjo ngjarje.

Në këtë kuadër, duke qenë se kjo ngjarje ka nevojë për një trajtim dhe analizë më të thelluar dhe informacion më të plotë, u kërkua nga Komisioni që ai të informohet nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me gjithë problematikën e mësipërme, duke shmangur çështjen edhe detajet konkrete që janë objekt i hetimit nga organet e prokurorisë. Informacioni i lartpërmendur do të jetë i disponueshëm vetëm për anëtarët e komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Kryetarin e Kuvendit. Jemi në pritje të informimit tuaj në një kohë sa më të shkurtër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: