Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka folur për shpopullimin e Shqipërisë duke akuzuar si fajtor Kryeministrin Rama.

Sipas Bramllarit, si asnjëherë më parë qytetarët tanë po detyrohen të marrin rrugët e emigrimit dhe kjo është kthyer në problem për qeverinë britanike.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, sekretari organizativ i PL-së bën thirrje bashkimit në protestën e 12 nëntorit.

Postimi i plotë:
Shpopullimi i Shqipërisë, Rama i bën çështje shqiptarët në parlamentin britanik
Keqqeverisja dhe humbja e shpresës për ndërtimin e të ardhmes në vendin tyre, ka bërë që me qindra shqiptarë çdo ditë të rrezikojnë jetën e tyre me gomone e varka të tjera të vogla për të shkuar në Britani.
Si asnjëherë më parë, jo për faj të tyre, por të qeverisë, e cila me korrupsionin galopant dhe vjedhjen e pasurive, i detyron çdo ditë të marrin rrugët e emigrimit, shqiptarët janë kthyer në një problem për qeverinë britanike.
Këtë e shprehu një ditë më parë edhe ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman në parlament ku deklaroi se këtë vit është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të të ardhurve nga Shqipëria.
E njëjta çështje ka zënë vend në faqet kryesore të mediave britanike, të cilat kanë raportuar se mbi 60 për qind e atyre që mbërrijnë në Britani me gomone janë shqiptarë, duke ja kaluar edhe afganëve, sirianëve dhe ukrainasve.
Kryeministri i rilindjes në vend që të merret me zgjidhjen e problemit, duke luftuar korrupsionin dhe duke hapur vende të reja pune, e gjen fajtorin për këtë hemorragji të shqiptarëve tek Franca dhe Anglia, të cilat sipas tij nuk po marrin masa për t’i ndaluar.
Ky mund të jetë kryeministri më qesharak në botë, që paaftësinë e tij kërkon t’ia ngarkojë të tjerëve.
Ndaj të gjithë bashkë më 12 nëntor për t’i treguar vendin këtij arroganti që vetëm për rehatinë e tij harxhon afro 16 mijë euro karburant vetëm për një fluturim me avion.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb