MALIQ

Kryesuesi i listës së LSI-së për Korçën, Endrit Braimllari ka mbajtur fjalën përpara qytetarëve të qytetit të Maliqit.

Braimllari theksoi se Gëzim Topçiu dhe oligarku Gjergj Luca po mashtrojnë banorët me punë sezonale, por se në fakt ata shohin vetëm interesa personale e jo si të ndihmojnë komunitetin.

Fjala e Endrit Braimllarit:

Kemi një kryetar bashkie që ka 25 vjet që drejton Maliqin. Kemi një kryetar bashkie, i cili nuk mendon për interesat e të rinjve dhe të rejave, por mendon vetëm për interesin e tij personal. Ndaj jemi në Korçë, Maliq dhe në të gjithë Shqipërinë, për ta thyer këtë monopol. Sepse nuk mund të vendosi një njeri për fatin tuaj. Ju jeni vetë zotër të fatit tuaj, ndaj angazhimi juaj në politikë shkatërron këtë monopol klientelist, që ka ndërtuar Gëzim Topçiu në Malin, që gjithë jetën e tij vjen dhe mashtron banorët e Maliqit. Gjithë jetën e tij vjen dhe i kërkon votën banorëve të Maliqit, pa krijuar një shans për të rinjtë dhe të rejat e Maliqit, pa krijuar mundësi punësimi.

E keni parë sesi është zona e Maliqit, një zonë jashtëzakonisht shumë prodhuese, një zonë e jashtëzakonshme me prodhime bujqësore. Por fermeri vendas nuk ka mbështetje, sepse këto nuk mendojnë për fermerin vendas, këta mendojnë për oligarkët. Besoj të gjithë e dini, sepse unë e kam dëgjuar në të gjitha takimet që kemi bërë me ju, por edhe ju vetë jeni dëshmitarë, që kanë filluar tanimë në Maliq vijnë dhe ofrojnë mundësi punësimi. Thonë kemi hapur vende pune sezonale, thonë kemi sjellë një investitor shumë të fortë, peshkaqeni këtu në Maliq. Por në fakt ai zotëria, Gjergj Luca quhet, që ka ardhur këtu së bashku me Gëzim Topçiun, nuk vjen këtu për t’i shërbyer banorëve të Maliqit. Por ai është një peshkaqen që do të grabisë pronat dhe ato të mira që ka sot Maliqi.

Ndaj duhet të jeni të vëmendshëm, që nuk duhet të mashtroheni nga këta njerëz, të cilët gjithë jetën e tyre kanë jetuar në kurriz të qytetarëve të ndershëm. Nuk ka nevojë Maliqi të vijnë 1 muaj para zgjedhjeve dhe të thonë do hapim 500 vende të reja pune. Pse nuk i hapën këto vende pune 6 muaj, 1 vit më përpara? Apo 2 vite më para? Po pse kështu do rrojnë të rinjtë dhe të rejat e Maliqit, peng të një politike klienteliste? Që Gjergj Luca dhe Gëzim Topçiu të mbushin xhepat e tyre dhe ju të zhyteni gjithmonë në varfëri? Jo, kjo është politikë e gabuar. Vërtetë janë të mirëpritur investitorët, por kur vijnë këtu dhe nuk investojnë për xhepin e tyre personal, por për qytetin e Maliqit, për të rinjtë dhe të rejat e Maliqit, me qëllim që ju të keni shanse dhe mundësi të barabarta.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb