POGRADEC

Një 37- vjeçar nga Shijaku është arrestuar në Pogradec pasi po transportonte 2 klandetinë.

Ai duke drejtuar mjetin ”Opel Zafira” u pikas nga uniformat blu në hyrje të qytetit të Pogradecit, dhe nuk iu bind urdhërit për të ndalur por u arrestua më pas ku u zbulua se nuk kishte as patentë.
Gjithashtu është proceduar një 41- vjeçar në Durrës si i implikuar në këtë ngjarje.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Qarku Korçë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt, vihet në pranga një shtetas.

Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i dyshuar i tij.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 37 vjeç, banues në Shijak.

Forcat e policisë, kanë konstatuar në hyrje të qytetit të Pogradecit, një mjet tip “Opel Zafira”, me drejtues 37-vjeçarin, të cilit i kanë bërë me shenjë të ndalonte pasi kishte dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm. Shtetasi i mësipërm, i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, është larguar me shpejtësi duke braktisur mjetin me 2 emigrantë të paligjshëm në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec dhe më pas është ndjekur, kapur dhe prangosur.

Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal edhe ndaj shtetasit G. S., 41 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb