Nga: Klodiana Haxhiaj*

TIRANE- Të gjitha nënat e reja të cilat nuk duan që të merret vesh shtatzënia dhe mëmësia e tyre, nuk duhet t’i braktisin fëmijët pas lindjes në maternitet. Të paktën ato nuk do të munden ta provojnë më një “krim” të tillë në maternitetin e Durrësit. Nëse më parë ka pasur shumë raste kur shtetase nga rrethe të ndryshme të vendit mësynin në qytetin bregdetar për të lindur dhe më pas zhdukeshin “pa nam e nishan” duke lënë foshnjat në duart e mjekëve, falë gjeneraliteteve të rreme, tashmë nuk munden ta bëjnë një mëkat të tillë.

Kjo për faktin se në maternitetin e qytetit bregdetar është instaluar sistemi i kamerave të sigurisë. Mjekë të këtij materniteti dje bënë me dije se nuk janë të pakta rastet që nënat pak orë pas lindjes kanë ikur e nuk janë identifikuar, ndërsa në rastet kur policia i ka identifikuar, ato nuk janë kthyer të marrin fëmijët që braktisën. “Për çdo lloj arsyeje apo rrethane nuk duhet braktisur fëmija, që është dhuratë nga Zoti. Fëmija duhet të rritet si të gjithë fëmijët e botës. Çdo fëmijë i porsalindur duhet të ndjejë nënën biologjike. Prindërit që braktisin fëmijët duhet të vihen para përgjegjësisë ligjore. Rastet ekzistojnë, ne themi që raste të tilla në shoqërinë tonë nuk duhet të ndodhin”, – tha mjeku pediatër në maternitetin e Durrësit, Fatmir Shahini.

Braktisja e foshnjave ka qenë problematike në maternitetin e qytetit bregdetar. Për afro 6 muaj, stafi i këtij institucioni shëndetësor “birësoi” dy fëmijë të braktisur në lindje nga nënat biologjike. Dy foshnjave nuk u mungoi asgjë, pasi mjekë, infermiere dhe sanitare u kujdesën maksimalisht për ta, duke i ushqyer, veshur dhe, për më tepër, duke u falur shumë dashuri. Madje vetë stafi u vuri emrat dhe i regjistroi në gjendjen civile. Por, problemet me të cilat u ndesh spitali gjatë javës së fundit bënë që fëmijët të dërgoheshin në Shtëpinë e Foshnjës në Shkozet. “Qamë kur i përcollëm dy djemtë. Të gjithë jemi munduar që t’u jepnim sa më shumë ngrohtësi, përkëdhelje e dashuri. Ata ishin fëmijët e repartit tonë. Nënat e tyre i braktisën në nëntor të vitit që shkoi”, – u shpreh kryeinfermierja e Neoonatologjisë, Najada Sorra.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: