Nëntë zjarrfikës kanë mbetur të vdekur pranë qytetit Altinopolis të Brazilit pasi një shpellë u shemb teksa ata po stërviteshin brenda saj, thanë autoritetet.

Aksidenti ndodhi të dielën ndërsa 26 zjarrfikës po kryenin një stërvitje e në shpellën Duas Bocas, tha në Twitter departamenti i zjarrfikësve të Sao Paulos.

“Ishtin nëntë të vdekur dhe një person u shpëtua. Nuk ka më viktima në vend”, thuhet në njoftim.

Më herët, zyrtarët kishin thënë se kishte tre të vdekur dhe gjashtë të zhdukur. Identiteti i viktimave nuk u bë i ditur.

Një raport i mëparshëm nga zyra e kryebashkiakut të Altinopolis tha se 15 zjarrfikës ishin ende brenda dhe se tre nga viktimat që u shpëtuan pësuan fraktura dhe hipotermi.

Pesë persona në total u dërguan në një spital lokal, njoftoi zyra e bashkisë.

Policia dhe ekipet shëndetësore të urgjencës iu bashkuan zjarrfikësve më herët të dielën në një përpjekje të dëshpëruar për të ndihmuar të bllokuarit, por puna u pengua nga reshjet e dendura.

Qasja në zonën e largët ishte e vështirë dhe kërcënimet për shembje të reja ndërlikuan përpjekjet e shpëtimit.

Guvernatori i Sao Paulos, Joao Doria, tha në Twitter se do të ofronte “të gjithë mbështetjen dhe burimet e nevojshme për shpëtimin e viktimave”.

Duke folur për GloboNews, Cristina Trifoni, nëna e një prej instruktoreve pjesëmarrëse në aktivitetin stërvitor, shpjegoi se grupi kishte planifikuar të kalonte natën brenda shpellës.

“Ajo që ndodhi është se hyrja në vendin ku ata ndodheshin u shemb. Jam e dëshpëruar,” tha ajo, duke qëndruar pranë të afërmve të zjarrfikësve të tjerë që prisnin me ankth fjalën për përpjekjen e shpëtimit.

Altinopolis, i cili ndodhet rreth 300 km (200 milje) në veri të qytetit të Sao Paulos, është i njohur për shpellat e tij, një atraksion i madh turistik rajonal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb