Një gjykatë në Rio Grande do Sul ka vendosur që të urdhërojë bllokimin e pasaportave të Ronaldinjos dhe vëllait të tij, Aris Moreira. Masa e marrë është për faktin se pavarësisht ekzistencës që nga viti 2015 të një vendimi gjykate për të paguar një gjobë prej rreth 2 milionë eurosh për dëme ambientale në Porto Algere, asnjëri nuk ka vënë ujët në zjarr që ta paguajë.

Sipas gjykatës, Ronaldinjo dhe vëllai i tij, bashkë me kompaninë “Reno Construções e Incorporações”, ishin dënuar pasi kishin ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një magazinë dhe një platformë peshkimi në një zonë ku nuk lejohen ndërtime.

Pas gjyqit, ku ata nuk ishin paraqitur, ishte vendosur në vitin 2017 që gjithsesi të kërkoheshin dhe të merreshin me forcë në gjykatë për të pranuar vendimin dhe për të bërë pagesën.

Pas dy vitesh përpjekje, gjykatësi Njuton Fabricio, dha vendimin që atyre t’u bllokohej pasaporta dhe t’iu ndalohej pajisja me një të re.

“Megjithëse fotografohen në pjesë të ndryshme të botës, duke shëtitur e qarkulluar lehtësisht, të dy në vendin e lindjes kanë vendndodhje të panjohur. Duke marrë parasysh këtë vështirësi për t’i gjetur ata, urdhëroj tërheqjen e menjëhershme të pasaportave të tyre nga autoritetet përkatëse si dhe ndalimin e pajisjes së tyre me të reja, derisa të përmbushin detyrimet në ekzekutimin e vendimit ndaj tyre”, shkruhej në shpjegimin e gjykatësit.

Avokati i lojtarit nuk ka bërë të ditur vendndodhjen e tij, por ka konfirmuar se do të apelojë këtë vendim, që do të ndalonte Ronaldinjon të merrte pjesë në shumë aktivitete ku paguhet me miliona euro, më e fundit në Rusi 2018 ku ishte pranishëm edhe në ceremoninë e mbylljes… si tamburist.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb