Brazil-Zvicër, sfidë që do të luhet në orën 17:00, është prova e së vërtetës, me dy skuadrat që kanë fituar ndeshjet e para në grup. Për favoritët e Seleçaos mposhtja e Serbisë 2-0 shënoi një fillim të përsosur për fushatën e tyre.

Nuk ishte i gjithi lajm i mirë, me trajnerin e Brazilit, Tite, që e shikonte me ankth Neymar që çaloi në lot në fundin e ndeshjes. Të shkosh larg në një Botëror nuk ka garanci, por pesë herë fituesit e Kupës së Botës kërkojnë të paktën që në grup mos të kenë surpriza. Të njëjtën gjë thotë edhe trajneri Tite:

“Ne fituam vetëm një ndeshje, por në Kupën e Botës e dimë të gjithë që kaq nuk mjafton. Do të luajmë me të njëjtin ritëm dhe dëshirë për të fituar edhe kundër Zvicrës. Dhe sigurisht që asnjë ndeshje nuk është e lehtë, Brazili nuk do të kursehet në asnjë sfidë” – u shpreh trajneri i Seleçaos.

Që nuk është e lehtë për Brazilin, Tite i referohet edhe katër viteve më parë, kur Zvicra barazoi 1-1 në Russi 2018. Për helvetët në fushë do të jenë sërish dy shqiptarët, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, dy pika referimi shumë të forta.

Shaqiri, që dha asistin e golit të fitores në ndeshjen e parë, pohoi se edhe Brazili ka pikat e veta të dobëta, ndaj Zvicra duhet të besojë. Ndërsa trajneri Murat Yakin u shpreh se kjo ishte kombëtarja helvete më e mirë e të gjitha kohërave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb