TIRANE- Emiljano Shullazi është arrestuar tri herë nga komisariati i policisë që unë drejtoja”. Kështu është shprehur në një postim të në rrjetin social “Facebook”, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, pas akuzave që ai pretendon se kreu i qeverisë, Edi Rama ka bërë ndaj tij për mosarrestimin e të fortit të kryeqytetit.

Ish-numri dy i uniformave blu të kryeqytetit në statusin e tij në rrjetin social “Facebook” sqaron se në kohën që ai ka qenë drejtues i komisariatit numër 2 në Tiranë, e ka arrestuar tri herë Emiljano Shullazin. Madje, Breçani shkruan se për një nga këto arrestime, ai ka komunikuar edhe në telefon me kryeministrin aktual, Edi Rama.

“Të dashur miq, sot mësova nëpërmjet mediave që kryeministri Rama më paska akuzuar mua që paskam bashkëpunuar dhe përdorur Shullazin për zgjedhjet dhe kundër mitingjeve të Partisë Socialiste. I kujtoj kryeministrit të vendit që po gënjen si gjithnjë, po ia kujtoj të vërtetën që Shullazi është arrestuar tri herë nga komisariati i policisë që unë drejtoja. Herën e parë, kur pengoi dhe shkatërroi zyrën elektorale të Partisë Socialiste dhe u dënua për veprën penale, ku është fakt ka vuajtur dënimin prej një muaji burg dhe dy raste të tjera për armëmbajtje pa leje dhe për moskallëzim krimi, përsëri në kohën që unë drejtoja komisariatin numër dy të Tiranës. Po i kujtoj kryeministrit bisedën telefonike që kam bërë me të… që sapo bënë kallëzimin të dëmtuarit dhe drejtuesit e njësisë shtatë të PS. Pranë oficerëve të policisë gjyqësore të këtij komisariati është kryer arrestimi me iniciativë, janë të provuara, siç janë të provuara kur qëndronte në makinën e kandidatit për deputet, S.Tahirit, gjatë fushatës së fundit elektorale. Faleminderit!”, mbyllet postimi i Breçanit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: