TIRANE- Dalja e Britanisë nga BE pas referendumit është komentuar edhe nga politikanët shqiptarë. Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha për “News 24” se ky nuk është një vendim i papritur, edhe pse do të dëshirohej që Britania të mos dilte nga BE.

Sipas Bregut, është e vështirë të parashikohet sesi do të jetë situata më tej.

“Nuk është vendim i papritur, pasi edhe një natë më parë situata ishte po aq shqetësuese. Dëshirohej të mos dilej nga BE. E gjithë Europa kërkon të ketë një ndryshim. Dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë tashmë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e ardhshme në vendet e tjera europiane. Nuk dihet as se çfarë do të ndodhë me Skocinë. Britania përballi Europën me të vërtetën e madhe që ka vite që zien. Çka deklarohet e thuhet sot edhe më e vogël dhe vështirë se mund të shpjegojë rrugën që duhet të ndiqet përgjatë dy viteve”, tha Bregu.

Edhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ka cilësuar këtë një vendim të trishtë për BE. Por ministrja shtoi se për aq kohë sa vijon projekti i BE, do të vijojë edhe projekti i zgjerimit.

“Ky është një vendim i trishtë për BE, vendet e tjera dhe vetëm institucionet. Sondazhet tregojnë se të rinjtë kanë votuar pro qëndrimit në BE. Është e trishtë edhe për ne shqiptarët që duam të bëhemi pjesë e BE. Do doja që ky referendum të vinte si një mesazh i fortë për BE. Për sa kohë vijon projekti i BE duhet të vijojë edhe procesi i zgjerimit. Do shpresoja që Europa të bëhet më e fortë dhe më solidare. Projekti i BE vazhdon, projekti i zgjerimit po ashtu, dhe Shqipëria vijon me plotësimin e prioriteteve. Ky është një proces pa kthim”, tha ministrja Gjosha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb