Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, ka reaguar sot ashpër ndaj qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës lidhur me situatën konfliktuale të dy ditëve të fundit të krijuar në Tiranë për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve publike për prishjen e banesave, me qëllim realizimin e projektit të zgjatimit të Bulevardit të Ri, në zonën e quajtur “Bregu i Lumit”. Nëpërmjet zëdhënësit Blushi, Meta ka kërkuar ndër të tjera nisjen e menjëhershme të hetimeve për dhunën e ushtruar nga Policia ndaj qytetarëve të pambrojtur.

“Presidenti i Republikës, i kërkon: Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit; Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë;

Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës ;

Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur”, – thuhet në reagim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb