TIRANE – Deputetja Majlinda Bregu, pjesë e Aleancës së Grave Deputete, që do të nisë aksionin kundër dhunës dhe krimit ndaj grave, e shtjelloi edhe në studion e “News 24”, idenë se si mund të parandalohet dhuna.

Bregu theksoi se mekanizmat ligjorë ekzistojnë, por nuk ka një bashkërendim të të gjitha hallkave të një zinxhiri për ta frenuar dhunën dhe mbështetur më pas, gruan e dhunuar me fëmijët e saj.

“Dënimi i një burri dhunues, sidomos kur ndodh në prezencë të fëmijëve dhe shkon deri në humbje jete, shton deri në burgim të përjetshëm, – tha Bregu. – Pra, nuk mungojnë mekanizmat ligjorë, por sot na mungon vetëm bashkërendimi i të gjithë hallkave të një zinxhiri; një burrë që dhunon një grua duhet dënuar, por ne duhet të edukojmë fëmijët, sepse djemtë e sotshëm do të jenë burrat e nesërm.

Po ashtu, nëse një grua e dhunuar me tre fëmijë për dore, si rasti i pasqyruar nga “News 24”, kërkon ndihmë, denoncon burrin dhe gjykata i jep urdhrin e mbrojtjes, asaj duhet t’i gjendet edhe strehim, duhet t’i jepet dhe ushqim, edhe veshmbathje e libra për fëmijët, edhe një banesë për të nesërmen…Pra, në rast se ne nuk e shohim në tërësi këtë problem, kjo është kosto dhe për integrimin e fëmijëve.

Pra, unë bëj thirrje për t’i parë gjërat në thellësi. Psh., reforma e re e pensioneve e ul përfitimin 30% të barrëlindjes dhe rrit moshën e daljes në pension të grave, nga 62 në 67 vjeç; pra, 5 vjet, ndaj, e theksoj, në rast se ne duam t’i shkëpusim gratë nga skema e dhunës, duhet t’i fuqizojmë dhe japim shanse ekonomike,” tha Bregu.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb