Vetëm dy ditë pasi pësoi dëme të mëdha nga tërmeti me magnitudë 5.8, Fakulteti i Gjeologji-Minierës është përmbytur nga rrebeshet e shiut dhe stuhitë e mbrëmjes së kaluar.

Gazetari Erjon Skëndaj sjell live për “News24” dhe “Balkanweb” pamjet e shkatërrimit nga Fakulteti i Gjeologjisë, i cili ka dalë jashtë funksionit dhe nuk do të presë studentët në tetor. Siç shihet edhe nga videoja që sjell “BalkanWeb” gjithçka ka rënë në tokë nëpër korridore, ndërsa gazetari Skëndaj tha se uji ka hyrë në të gjithë katin e tretë, madje ka depërtuar edhe në katin e dytë, duke hyrë nëpër klasa, dhe duke nxjerrë jashtë funksionit laboratorët.

Kjo situatë ka detyruar Dekanin e Fakultetit të ndalojë hyrjen e studentëve brenda, të cilët shkojnë për provimet e mbartura, por edhe hyrjen e tyre në tetor, duke i zhvendosur në një tjetër godinë.

Gjithashtu, gazetari tregoi me kameran e “News24” se ballkoni i Fakultetit është duke u shkëputur dhe mund të bjerë nga momenti në moment, sepse ka të çara. Për të kthyer në normalitet godinën, aty ndodhen edhe profesorët, të cilët po punojnë për heqjen e ujit.

Njëri prej tyre i tha gazetarit Skëndaj se “Duheshin marrë masa që dje, që të mos ndodhte kjo që ndodhi”.

Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit deklaroi për “News24” se në këtë godinë nuk mund të zhvillohet më mësim, ndaj dhe studentët do të zhvendosen te godina tjetër, e cila në fakt është e zënë, pasi aty ndodhen studentët e Drejtësisë.

“Shpresojmë që tërmeti të përshpejtojë procedurat për rikonstruksionin e godinës. Unë nuk do të zhvillojë mësim në këtë godinë. Sapo u ndava nga grupi i ekspertëve, mësimin do e zhvilloj te mësimi matanë, por aty ka një problem tjetër, që duhen zhvendosur studentët e Drejtësisë, që zhvillojnë mësimin aty”, deklaroi Dekani.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb