Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se qeveria shqiptare ka bërë sa ka mundur për t’ju gjendur afër qytetarëve të prekur nga tërmeti.

Ahmetaj premton se qeveria do të ndërtojë qyteza në Tiranë, në Durrës, Thumanë dhe në Lezhë.

“Brenda krishtlindjeve do të pastrojmë qytete si Durrësi, Kavaja etj. Do të bëjmë vlerësimin me ekspertë dhe specialistë.  Ne mendojmë se janë rreth 5000 familje që nuk do munden të kthehen më në shtëpinë e tyre, por vlerësimi do e tregojë. Mund të ketë shumë më shumë, sepse lëvizja është gjithmonë e në rritje. Ne kemi riformatuar paketën e rindërtimit.  Do ketë qyteza urbane në Durrës. Nuk do lihet asnjë qytetar, asnjë familje jashtë. Po do ndërtohen qyteza urbane në Durrrës, në Tiranë, te ish-zona e Auto-traktorit dhe Kombinat, Thumanë dhe në Lezhë”, deklaroi Ahmetaj.

Arben Ahmetaj theksoi se qeveria po  bën çdo gjë për të prekurit nga tërmeti, ndërsa ka shtuar se asnjë qytetar a familje nuk do të ngelet jashtë e pa strehim.

“Që në datë 27 nëntor janë strehuar njerëzit në hotele. Në këtë situatë, të të them se jemi optimist është e tepërt. Unë dua të ndaj gjithë përpjekjen e qeverisë dhe të gjithë qytetarët që janë gjendur pranë të prekurve në këto ditë të rënda, apo gazetarë që kanë kontribuuar në ringritjen e shoqërisë. Kjo shoqëri me kontribut nga të gjitha palët ringrihet për të kapur ritmin e jetës. Të gjitha familjet me viktima janë pajisur me një shtëpi. Mendohet se dëmi shkon edhe 500- 600 milionë euro dëme. Ne kemi menduar për strehimin për qytetarët. Sigurisht që qeveria mund të kritikohet”, tha Ahmetaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb