Policia e Shkodrës ka arrestuar një 16-vjeçar, shpallur në kërkim një 15-vjeçar dhe proceduar 4 adoleshentë të tjerë, pasi kanë terrorizuar qytetarët, duke qëlluar me kallashnikov në ajër.

Ka qenë telefonata e banorëve të fshatit Hot i Ri që ka vënë në lëvizje policinë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë rrethuar menjëherë zonën dhe kanë goditur grupin e adoleshentëve, që akuzohen për prishje të rendit e qetësisë publike.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Qëlluan me armë zjarri në ajër, në fshatin Hot i Ri, reagimi në kohë i Policisë vë në pranga një 16-vjeçar, shpallet në kërkim një 15-vjeçar, si dhe procedohen në gjendje të lirë 4 adoleshentë të moshës 15 e 16 vjeç, për prishje të rendit e qetësisë publike.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, më të cilën adoleshentët kanë qëlluar në ajër.

Në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë ardhur telefonata nga banorët se midis fshatit Hot i Ri dhe Grudë e Re po qëllohej me armë zjarri nga disa adoleshentë.

Me marrjen e informacionit, është organizuar puna duke ngritur një grup drejtimi për shërbimet e Policisë që do shkonin në vendngjarje, për shkak se personat që qëllonin ishin adoleshentë, me qëllim që gjatë ndërhyrjes së Policisë të mos kishte pasoja.

Forcat “Shqiponjat” dhe disa Patrulla të Përgjitshshme, nën drejtimin e grupit të drejtimit, shkuan në fshatin Hot i Ri, lokalizuan vendin dhe me profesionalizëm neutralizuan adoleshentët, njëri prej të cilëve mundi të largohej.

Shërbimet e Policisë, në vendin e ngjarjes, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik, e cila rezultoi se i përkiste shtetasit E. Z..

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z., 16 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Në lidhje me këtë ngjarje është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K. F., 15 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, të Bashkisë Shkodër, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe katër adoleshentë të tjerë, të moshës 15 e 16 vjeç, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

264a1dc3 3723 4883 82b6 9b29d7e16a0a
264a1dc3 3723 4883 82b6 9b29d7e16a0a

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb