VLORE- Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:40 në një pikë bastesh në zonën e njohur si “Kali i Trojës”.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga të shtënat.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje është qëlluar 2 herë me breshëri, gjë që ka shkaktuar panik te banorët.

Sipas policisë të vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin e më pas kanë shtënë në ajër me armë zjarri. Të dy personat e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendngjarja, por vetëm pak minuta më pas, policia ka mundur të ndalojë njërin prej tyre.

Sakaq, po punohet për kapjen e personit tjetë, si dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 18:40, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se:
Pranë zonës së quajtur “Kali i Trojës”, dyshohet se dy shtetas pas një konflikti për motive të dobëta midis njëri-tjerit, kanë qëlluar në ajër me armë zjarri dhe janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.

Policia ka identifikuar të dy personat e përfshirë në konflikt dhe ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e njërit prej tyre, si dhe po punon për kapjen e personit tjetër.

Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja në tokë, për të cilat po kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale të sekuestrimit të tyre.

Bëjmë me dije se nuk ka persona të lënduar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet hetimore në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb