Vendet e Bashkimit Europian do të bëjnë shumë mirë nëse blejnë vaksina ruse apo kineze, deklaroi sot komisioneri i Bashkimit Europian për Tregtinë e Brendshme, Thierry Breton, sipas politico.eu.

“Unë po përpiqem të sigurohem që qeveritë dhe anëtarët tanë të jenë në përputhje me strategjinë tonë dhe ata janë”, theksoi Breton, në një intervistë për Jillian Deutsch.

“Por, është e rëndësishme për mua të kaloj pak kohë me secilin prej tyre, për t’u siguruar që të gjithë jemi në të njëjtën linjë dhe do të vazhdojmë të jemi në të njëjtën linjë”, shtoi ai.

Muajin e fundit, Komisioni Europian është përpjekur vazhdimisht të provojë se e ka situatën nën kontroll, duke riformatuar strategjinë e tij të vaksinave dhe duke treguar përparimin në horizont me një vaksinë të katërt, atë nga kompania “Johnson & Johnson”, që mund të miratohet javën e ardhshme.

Të paktën, një rast pozitiv, Gjermania dërgoi rreth 15 000 doza vaksine në Republikën Çeke të goditur keq nga COVID-19.

Por, e gjithë kjo nuk i ka lehtësuar kryeqytetet e shqetësuara, të etura për t’u treguar qytetarëve të tyre se po luftojnë për çdo dozë vaksine.

Austria, Danimarka, Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia, të gjitha i janë bashkuar Hungarisë për të kërkuar doza vaksine në vende të tjera.

Megjithatë, Breton nuk shprehet i shqetësuar.

”Nëse vendet duan të blejnë Sputnik V të Rusisë ose Sinopharm të Kinës, nuk ka problem”, thotë Breton.

Nga ana tjetër, ai madje mirëpriti lëvizjet nga Austria dhe Danimarka për të formuar një aleancë vaksinash me Izraelin, duke injoruar kritikat e synuara të kancelarit austriak, Sebastian Kurz, sipas të cilit BE është shumë e ngadaltë.

“Nuk kam absolutisht frikë se kjo mund të jetë kundër dikujt, bëhet thjesht për të rritur bashkëpunimin global”, vazhdoi ai, duke shtuar se do të mësojë më shumë për këtë pas takimit me vetë kancelarin Kurz.

Kur u pyet në lidhje me Hungarinë, Sllovakinë, Poloninë dhe interesin e Republikës Çeke për vaksinat ruse dhe kineze, Breton e bëri atë të tingëllojë se çdo dozë që ato vende marrin është vetëm një pikë në oqean.

“Është e kuptueshme që dikush të jetë i gatshëm të ketë ndoshta disa doza këtu, disa doza atje. Ajo që na duhet sot janë doza, jo vaksina të reja”, theksoi ai.

Ai përmendi dorëzimin e parë të dozave Sputnik V në Hungari nga ana e Rusisë, që arriti në rreth 40 000 doza, por shton se “janë 40 000. Na duhen miliona”.

“Është e mundur falë urdhrave të BE-së që vendet anëtare t’i marrin ato miliona doza. E di që kur të jetë fjala për vëllim, ai do të vijë nga Europa, do të vijë nga këtu”, këmbënguli Breton.

Rusia dhe Kina mund të jenë të etura për të dërguar dozat e tyre nëpër botë, përfshirë vendet e BE-së, por për Breton gjithçka është e qartë: “Vetëm BE-ja dhe SHBA-ja kanë kapacitetin për të furnizuar globin. Shumica e vendeve nuk kanë kapacitet për të dhënë masivisht”.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse BE ka përgjegjësinë për të ndihmuar.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb