Babai i një britaniku i cili iu bashkua organizatës terroriste YPG/PKK në Siri është arrestuar dhe akuzohet për terrorizëm.

Mediat lokale njoftojnë se 49-vjeçari Paul Newey u kontaktua nga policia britanike më 11 dhjetor në shtëpinë e tij. Apartamenti i tij u kontrollua nga policia dhe autoritetet konfiskuan laptopë dhe telefona celularë.

Newey bashkë me djalin e tij Sam u dërguan në stacion policor ku u morën në pyetje për 13 orë. Newey u mbajt për katër ditë dhe u lirua me kusht.

Operacioni kishte të bënte me djalin më të madh të Newey, Dan. 27-vjeçari udhëtoi nga Britania e Madhe për në Siri për t’iu bashkuar grupit terrorist YPG/PKK në vitin 2017. Ai u kthye në Mbretërinë e Bashkuar në mars të vitit 2018, ku u hetua nga policia dhe u vendos në një listë vëzhgimi, por nuk u akuzua për ndonjë krim. Ai u kthye në Siri në tetor, pas operacionit turk “Burimi i Paqes” në verilindje të Sirisë.

Nëna e Newey-t, Vikki, gjithashtu u vizitua nga policia dhe u intervistua për 12 orë.

Policia thotë se 49-vjeçari u arrestua me dyshimin për financim dhe mbështetje të terrorizmit dhe iu caktua paraburgim shtëpiak.

Sigurimi i “mbështetjes materiale” për terrorizmin, përfshirë financimin dhe mbështetjen, është përdorur nga autoritetet në vitet e kaluara për të goditur familjet britanike të anëtarëve të organizatës terroriste DEASH.

Mediat lokale njoftojnë se është hera e parë që një anëtar i një familjeje britanike është hetuar shkaku se një anëtar i familjes së tij i është bashkuar grupit terrorist YPG.

Nëse Newey shpallet fajtor për financimin e terrorizmit, ai mund të vuajë një dënim maksimal prej 14 vjet burg në bazë të Aktit të Terrorizmit në Britaninë e Madhe.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb