Kryeministri britanik, Boris Johnson iu drejtua sot kombit në një konferencë për shtyp në lidhje me variantin e ri të COVID-19, që ka shkaktuar kaos në vend dhe jashtë tij, vetëm disa ditë para Krishtlindjes, duke u kërkuar qytetarëve që të mos krijonin panik, sipas ”The Sun”.

“Vonesat në ndalimin e mallrave nga jashtë BM-së vlejnë vetëm për një përqindje shumë të vogël të ushqimit që hyn në vend dhe të gjithë duhet të vazhdojnë të blejnë normalisht, pa shkaktuar panik dhe pa grumbulluar rezerva”, tha kryeministri, i shoqëruar edhe nga këshilltari i tij shkencor, Patrick Vallance dhe sekretari për Transportin, Grant Shapps.

Ai sqaroi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe së bashku po përpilojnë një plan për të rifilluar lëvizjen e mallrave nëpër La Mansh.

“Sapo bisedova me presidentin Macron dhe dolëm në përfundimin se të dy ne i kuptojmë pozicionet e njëri-tjetrit dhe duam t’i zgjidhim këto probleme sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Johnson, duke theksuar se rreziqet e transmetimit nga një shofer i vetmuar, i ulur vetëm në kabinën, janë me të vërtetë shumë të ulëta.

Në fundjavë, Johnson u detyrua t’u thotë britanikë që jetojnë në zonat e “nivelit 4” që të anulojnë planet e tyre të Krishtlindjes dhe të izolohen edhe një herë në shtëpi.

Si për të shtuar kaosin e mbylljes së kufijve për udhëtarët, shumë vende ndaluan, gjithashtu, importet dhe eksportet e mallrave dhe produkteve të tjera, duke shkaktuar panik në lidhje me furnizimet me ushqim para Krishtlindjes.

Franca mbylli kufirin me Britaninë e Madhe, duke detyruar kamionët me mallra të rreshtoheshin për orë të tëra në të dy anët e ngushticës.

Miliona persona u bllokuan ose nuk patën mundësi të udhëtonin, sepse një sërë vendesh ndaluan fluturimet në BM .

Një e treta e vendit u zhyt në masat e bllokimit të “Nivelit 4” dje, duke anuluar Krishtlindjet për mijëra familje.

Deputetët kërkuan që një votim të mbahej sa më shpejt të ishte e mundur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb