Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi sot se i takon Bashkimit Europian të reagojë ndaj kërkesave të Britanisë së Madhe pas propozimeve të tij për të ndryshuar marrëveshjen për largimin e vendit nga unioni.

“Nëse do të bëjmë një marrëveshje, ne kemi nevojë që BE-ja të bashkohet me ne atje, duke treguar gatishmërinë për të bërë një marrëveshje që parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar mund të mbështesë”, tha Johnson.

Zyrtarët e lartë të BE-së kanë hedhur poshtë propozimet e Johnson duke i kërkuar atij të japë disa sqarime lidhur me përgatitjet për kufirin me Irlandën pas-Brexitit si një ndër pikat kryesore.

Sipas Johnson votuesit britanikë duan ta përshpejtojnë Brexit.

“Kështu që unë u them miqve tanë europianë: shfrytëzoni mundësinë që ofron propozimi ynë i ri, duke i kërkuar Brukselit të bashkohet me Londrën në tryezën e bisedimeve në një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi”, deklaroi Johnson.

“Ne mund ta arrijmë këtë përmes një marrëveshjeje nëse BE-ja është e gatshme”, tha Johnson, duke këmbëngulur që Britania e Madhe do të largohet nga unioni, me ose pa një marrëveshje, më 31 tetor.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb