Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se një bllokim do të vendoset në Angli javën e ardhshme si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar një rritje në rastet e koronavirusit, pasi vendi arriti shifrën prej një milion të infektuarish.

“Kam frikë se duke filluar nga e enjtja mesazhi do të jetë i njëjtë: Rri në shtëpi, mbro NHS dhe shpëto jetë”, tha Johnson, duke paralajmëruar se pa masat, shkalla e vdekjes mund të rritet.

”Tejmbushja e spitaleve do të jetë një fatkeqësi morale. Mjekët dhe infermieret do të detyrohen të përzgjedhin se kë të trajtojnë dhe kë jo… kush do të jetojë dhe kush do të vdesë”, ishin fjalët e kryeministrit Johnson në një shënim në Twitter.

“Krishtlindjet do të jenë ndryshe këtë vit, ndoshta shumë ndryshme, por është shpresa dhe besimi im i sinqertë që duke ndërmarrë veprime të ashpra, ne mund të lejojmë që familjet në të gjithë vendin të jenë së bashku”, tha Johnson, duke përmendur masa të ngjashme nga Franca, Gjermania dhe Belgjika.

Numri i të vdekurve në Britaninë e Madhe është më i larti në Evropë, me më shumë se 45 000 vdekje të lidhura që nga fillimi i pandemisë.

Johnson kishte futur një sistem me tre nivele të kufizimeve për Anglinë në mes të tetorit, por lëvizja u kritikua si e pamjaftueshme.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb