Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë akuzuar një agjenci inteligjente ruse për sulme diskriminuese mbi rrjetet dixhitale në të gjithë botën, duke përfshirë gjithçka që nga transporti e deri në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Britania tha se agjencia ushtarake inteligjente ruse GRU, me shumë gjasa ishte ajo që fshihej pas një fushate sulmesh online mbi institucionet politike, të biznesit, medias apo dhe sportit në mbarë botën.

Sipas Britanisë, Rusia është përpjekur të hakojë edhe agjencinë botërore të Antidopingut në Zvicër në vitin 2017.

Incidente të tjera përfshijnë hakimin e Komitettit Kombëtar Demokratik të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 dhe vjedhjen e e-mail-eve nga televizionet angleze në vitin 2015.

Qendra e Sigurisë Kibernetike Britanike gjithashtu identifikoi një numër të madh grupesh hakimi, të lidhura me GRU.

Akuza kanë ardhur dhe nga kryeministri australian Scott Morrison i cili gjithashtu tha se shërbimet inteligjente në Canberra kishin zbuluar prova të aktivitetit të jashtëligjshëm kibernetik të orkestruar nga Moska.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb