Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje që “menjëherë t’i jepet fund” shtypjes ushtarake në Mianmar.

Në llogarinë e tij në twitter, kryeministri britanik, Boris Johnson, shkroi se ai ishte “tmerruar nga përshkallëzimi i dhunës në Mianmar dhe vrasja e protestuesve pro-demokracisë”.

Komentet e kryeministrit Johnson vijnë pasi dhjetëra persona u vranë në Mianmar gjatë protestave kundër grusht shtetit.

“Ne jemi me popullin e Mianmarit duke kërkuar që t’i jepet fund menjëherë shtypjes ushtarake, të lirohet Aung San Syy Kyi dhe të tjerët, si dhe të rivendoset demokracia”, tha Johnson.

Mbi 50 persona janë vrarë në protestat në Mianmar që nga 1 shkurti kur junta ushtarake mori pushtetin.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), nga 54 rastet e dokumentuara, të paktën 30 persona u vranë nga forcat e sigurisë në Yangon, Mandalay, Sagaing, Mahway dhe Mon.

Britania ka sanksionuar disa gjeneralë nga ushtria e Mianmarit për shkak të roleve të tyre në grusht shtet.

Grusht shteti u zhvillua disa orë para se parlamenti i ri i vendit ishte vendosur të mblidhet pas zgjedhjeve të nëntorit ku Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) arriti fitime të mëdha.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb