Një ditë pas dorëheqjes së Boris Johnson nga drejtimi i partisë konservatore, por dhe nga drejtimi i qeverisë britanike menjëherë sapo të zgjidhet kreu i ri i partisë, opozitarët laburistë kërkuan zgjedhje të reja.

Kreu i laburistëve Keir Starmer deklaroi se Britania e Madhe meriton një fillim të ri. Sipas Starmer, zgjedhjet e përgjithshme janë përgjigja për paqëndrueshmërinë aktuale. “Ne kemi ngecur në një krizë të kostos së jetesës me një qeveri që nuk mund të zgjidhë problemet. Britania e meriton atë fillim të ri, që mund të vijë vetëm me ndryshimin e qeverisë. Kur takoj njerëzit në rrugë, ata shikojnë tek qeveria një grup të shkëputur krejtësisht nga realiteti, fjalët e të cilëve nuk kanë asnjë kuptim dhe që venë interesat e tyre personale në plan të parë”, u shpreh Starmer.

Ndërkohë brenda konservatorëve kanë nisur që sot ethet për garën e pasuesit të Johnson, por ndërsa ky i fundit pritet të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kreut të ri të The Tories, të shumta janë thirrjet që ai të largohet nga detyra pa humbur kohë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Britaninë e Madhe u mbajtën më 12 dhjetor 2019 dhe ato u fituan nga partia konservatore e Boris Johnson.

Nga E. kaçorri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb