Duke filluar nga e diela, Britania do të fillojë me skemën e re të vizave për qytetarët e Territorit Tejoqeanik Britanik nga Hong Kongu për të lehtësuar migrimin e miliona njerëzve në Britani.

Skema e re, e cila u prezantua pasi Kina vendosi ligjin e ri të sigurisë kombëtare në Hong Kong në qershor 2020, do t’u japë qytetarëve të Hong Kongut të drejtën për të jetuar dhe punuar në Britani.

“Jam jashtëzakonisht krenar që kemi hapur këtë rrugë të re për banorët e Territorit Britanik nga Hong Kongu për të jetuar, punuar dhe për të bërë shtëpinë e tyre në vendin tonë”, tha kryeministri Boris Johnson në një deklaratë të premten.

“Duke vepruar kështu, ne kemi respektuar lidhjet tona të thella historike dhe miqësisë me banorët e Hong Kongut dhe jemi ngritur në këmbë për lirinë dhe autonominë – vlera të cilat konsiderohen në Britani dhe Hong Kong”.

Me skemën e re të vizave, rreth 3 milionë banorë nga Hong Kongu do të kenë të drejtë për shpërngulje në Britani për pesë vjet dhe më pas edhe të drejtën e shtetësisë britanike.

Sekretari i Jashtëm Dominic Raab nënvizoi se “imponimi i Ligjit kinez të Sigurisë Kombëtare në Hong Kong përbën shkelje të qartë dhe serioze të Deklaratës së Përbashkët kinezo-britanike në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Hong Kongu është një rajon gjysmë-autonom që ka qenë pjesë e Kinës që nga viti 1997, kur Britania ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit.

Në këtë rajon u zhvilluan protesta masive vitin e kaluar kundër një përpjekjeje për ta legalizuar ekstradimin e personave në territorin e Kinës.

Britania e konsideron lëvizjen legjislative kineze si një “shkelje të qartë” të Deklaratës së Përbashkët kinezo-britanike të vitit 1984, e cila përshkruan një traktat ligjërisht të detyrueshëm “i cili angazhohet për të siguruar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Hong Kongut dhe për të ruajtur shkallën e lartë të autonomisë së Hong Kongut”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb