SERBI- Misioni i Britanisë në Kombet e Bashkuara ia ka dorëzuar Serbisë propozimin e rezolutës për Srebrenicën, e cila me gjasë do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 7 korrik, ka deklaruar sot ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

“Thuhet se qëllimi i rezolutës është pajtimi, por në atë tekst në 20 vende përmendet gjenocidi dhe vetëm një herë pajtimi”, tha Daçiç.

Ai më tej është shprehur se “Serbia tashmë ka treguar përkushtim për dënimin e krimeve të luftës, por qeveria e Serbisë do të udhëhiqet me interesat shtetërore e kombëtare kur kemi të bëjmë me këtë temë”, tha Daçiç në konferencën me gazetarë në Beograd.

Sipas tij, ende nuk janë kryer konsultimet me shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe se pritet që ato të mbahen gjatë javës së ardhshme, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Ivica Daçiç tha se rezoluta për Srebrenicën, të cilën e përgatit Britania, përmbanë pjesë të përgjithshme, të cilat direkt kanë të bëjnë me krimet në Srebrenicë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb