Ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë, James Heappey, ka vënë alarmin se ushtria ka nevojë urgjente për më shumë para, pasi mund të përballet me vështirësi të mbrojë vendin në rast të një agresioni rus.

Heappey ka deklaruar se investimet e deritanishme në ushtri kanë qenë të pamjaftueshme dhe në rast se vendi përballet me një situatë të vështirë, forcat e armatosura nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë interesat britanike.

Deklarat e tij vjen pas raportimeve nga SkyNews se një gjeneral i lartë amerikan i kishte thënë personalisht Ben Wallace, sekretarit të mbrojtjes, se ushtria britanike nuk ishte më një forcë e lartë luftarake.

Burimet e mbrojtjes thanë për SkyNews mungesat në investime kanë krijuar një situatë ku për një dekadë Britania nuk mund të mbrojë veten dhe aleatët.

Sky raportoi se forcat e armatosura do t’i mbaronin municionet “brenda pak ditësh” nëse krijohet një situatë e tillë dhe se forcat britanike nuk do të ishin në gjendje të mbronin qiejt nga sulme të llojit që po ndodhin në Ukrainë nga Moska.

“Unë mendoj se të gjithë janë të qartë. Sekretari i Shtetit ka thënë shumë herë, ashtu si unë dhe kolegë të tjerë ministra, se një mungesë e vazhdueshme e investimeve në ushtri gjatë dekadave kanë çuar në pikën ku ushtria ka nevojë urgjente për rikapitalizim. Kryeministri e kupton një situatë të tillë dhe një buxhet i ri për të përmirësuar situatën po vjen”, ka deklaruar ministri Heappey.

Ndërkohë qeveria aktuale ua lë fajin paraardhësve.

Një seri skandalesh prokurimesh kanë lënë ekspertët ushtarakë të pyesin nëse ushtria britanike do të ishte në gjendje të mobilizonte një divizion në rast të një lufte evropiane.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të vendosim një divizion luftarak për dekada. Zbrazja e vazhdueshme që ndodhi nën qeverisjen laburiste dhe qeveritë e mëparshme konservatore e lanë Ministrinë e Mbrojtjes me boshllëqe dhe mungesa. Vetëm kur Boris Johnson i dha mbrojtjes 24 miliardë paund shtesë, më në fund patëm hapësirën për t’i zgjidhur gjërat”, tha Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace për The Times.

Më parë gjatë javës, kryeministri ktual Rishi Sunak deklaroi se janë rritur investimet në ushtri pasi kuptuam e bota nuk është më një vend i sigurt.

“Kur isha ministër ne rritëm fondet për forcat e armatosura me një shumë rekord, sepse e kuptuam se bota po ndryshonte dhe po bëhej një vend më pak i sigurt”, tha ai.

Mbretëria e Bashkuar është shpenzuesi i dytë më i madh i përgjithshëm në NATO, por ende nuk ka njoftuar një rritje në shpenzimet e mbrojtjes që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Ndërkohë, Franca, Gjermania dhe SHBA-ja kanë vendosur të gjitha plane për të rritur ndjeshëm shpenzimet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb