Britania do të ngrijë për dy vjet fondet për BBC-në e do të debatojë nëse duhet të vazhdojë taksa e përgjithshme për transmetuesin televiziv, njoftoi qeveria të hënën, një zhvillim që ndezi akuza për “vandalizëm kulturor”.

Qeveria nuk po kërkon të shkatërrojë ‘fanarin’ 100-vjeçar britanik, tha Sekretarja e Kulturës Nadine Dorries në parlament, por ajo shtoi se BBC nuk mund të merrte më shumë para në një kohë kur familjet po goditeshin nga rritja e taksave dhe faturave të energjisë.

I krijuar për të edukuar, informuar dhe argëtuar, BBC-ja është admiruar në mbarë botën për lajmet, dramën dhe dokumentarët me cilësi të lartë.
Por vitet e fundit transmetuesi kombëtar është përpjekur t’u bëjë ballë mosmarrëveshjeve të rritura politike e kulturore të cilat kanë kapluar Britaninë, veçanërisht në lidhje me Brexit-in. Kritikët thonë se këndvështrimi i saj metropolitan me qendër në Londër, ka dështuar në përfaqësimin e të gjithë vendit.

“Nuk është qëllimi i askujt të shkatërrojë BBC-në”, tha zonja Dorries, anëtare e Partisë Konservatore në pushtet. “Ai është një fanar”.
Drejtuesit e BBC-së thonë se ngrirja e fondeve do të nxiste zgjedhje të ashpra që do të ndikonin tek paguesit e tarifës për transmetuesin.

Analistët kanë thënë se një zgjidhje nën inflacion do të kërkojë shkurtime të emisioneve që prodhon BBC-ja, e cila përfshin radion globale, kombëtare dhe lokale, përmbajtjen dhe transmetimin online dhe televizionin sipas kërkesës.

Lucy Powell, zëdhënëse e Partisë Laburiste për çështje të kulturës tha në parlament se ngrirja e financimit ishte një sulm ndaj një prej institucioneve më të mëdha në jetën publike britanike dhe akuzoi zonjën Dorries për “vandalizëm kulturor”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: