Shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson, deklaroi se forcat perëndimore do të shqyrtojnë opsionet nëse pushteti i Sirisë sërish do të përdorë armët kimike të ndaluara, por se aktualisht nuk ka plane për sulme të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Si një kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Duma më 7 prill, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, bombarduan objektiva të regjimit të Bashar al-Asadit në Damask dhe Homs, duke goditur depot e armëve kimike.

Krerët e tre shteteve thonë se sulmet kanë qenë të kufizuara duke goditur vetëm depot e armëve kimike, dhe se qëllimi i tyre nuk ka qenë përmbysja e Asadit ose ndërhyrja në luftën civile.

I ftuar në emisionin e Andrew Marr në BBC, shefi i diplomacisë britanike Johnson, mbështeti vendimin e kryeministres së Britanisë, Therese May, për pjesëmarrje në sulm, duke theksuar se ishte një vendim i drejtë, i cili do të ndalojë përdorimin e armëve kimike në vazhdim.

“Aktualisht nuk ka propozime për sulme të reja, sepse regjimi i Asadit nuk është aq i marrë sa të nisë një sulm tjetër me armë kimike. Nëse, dhe kur kjo të ndodh, atëherë do të diskutojmë me aleatët se cilat janë mundësitë “, tha Johnson në BBC.

Fjalët e tij janë në përputhje me deklaratën e ambasadores amerikane në OKB, Nikky Haley. Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Haley deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë se SHBA-të janë të gatshme të godasin nëse regjimi sirian përsërit përdorimin e gazit helmues.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: