Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për respekt nga udhëheqësit e BE-së, duke thënë se ata flasin për Irlandën e Veriut sikur të mos ishte pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Në mënyrë serike kemi parë figura të larta të BE-së të flasin për Irlandën e Veriut sikur të ishte disi një vend tjetër nga Mbretëria e Bashkuar”, tha Sekretari i Jashtëm Dominic Raab, duke folur për SkyNews.

“Kjo nuk është vetëm fyese, por ka efekte reale në komunitetet në Irlandën e Veriut, krijon shqetësim të madh, shqetësim të madh”, shtoi kryediplomati britanik.

Vërejtjet nga Raab erdhën në ditën e mbylljes së samitit të G7-tës në Cornwall të Anglisë.

Fërkimet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së vazhduan edhe në margjinat e samitit mbi çështjen e kontrolleve kufitare të mallrave të cilat Irlanda e Veriut i merr nga pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar.

“A mund ta imagjinoni nëse do të flisnim për Katalonjën, pjesën flamane të Belgjikës, një nga krahinat në Gjermani, Italinë Veriore, Korsikën në Francë si vende të ndryshme?”, pyeti Raab.

“Ne kemi nevojë për pak respekt dhe gjithashtu, sinqerisht, pak për vlerësimin e situatës për të gjitha komunitetet në Irlandën e Veriut”, tha ai.

Raab nënvizoi se zbatimi i Protokollit të Irlandës së Veriut ka qenë “shumë i mangët” dhe kishte “efekte reale” mbi njerëzit në Irlandën e Veriut.

“Ajo që nuk mund të ndodhë është ndërprerja e vazhdueshme e tregtisë dhe përpjekjet në mënyrë efektive të ndryshimit të statusit të Irlandës së Veriut, në kundërshtim me pëlqimin dhe dëshirat e njerëzve, që nuk është vetëm në kundërshtim me Protokollin e Irlandës së Veriut, por edhe me Marrëveshjen e Belfastit”, shtoi ai.

Kryeministri Boris Johnson kërkoi të shtunën nga BE-ja për “pragmatizëm dhe kompromis” mbi problemet e vazhdueshme me protokollin e Irlandës së Veriut.

Gjatë takimit me udhëheqësit e BE-së, Ursula Von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe presidentin francez dhe kancelaren gjermane, Johnson tha se kërkonte “zgjidhje urgjente dhe inovative” për problemet e protokollit.

Pallati Elysee përmes një deklarate tha se Emmanuel Macron paralajmëroi Johnson-in dhe i tha atij se qeveria britanike duhet të “respektojë fjalën e saj” mbi Marrëveshjen Brexit.

Johnson në takimin e tij me Merkelin “nënvizoi qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar mbi Protokollin e Irlandës së Veriut dhe nevojën për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Mbretërisë së Bashkuar”.

– Fërkimet e fundit

Lufta e fundit e fjalëve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së filloi javën e kaluar për pasiguritë e vazhdueshme mbi rregulloret e Brexit-it në lidhje me Irlandën e Veriut.

Fërkimet e fundit erdhën pasi David Frost, ministri i Brexit-it i Mbretërisë së Bashkuar, ftoi zyrtarët e BE-së që të tregojnë “arsye të shëndoshë” dhe kompromis rreth kontrollit të mallrave të transportuara në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, një kusht sipas Protokollit të Irlandës së Veriut të nënshkruar dhjetorin e kaluar nga të dy palët.

Nënpresidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, kërcënoi të hakmerret me një ndalim të shitjes së disa produkteve në Irlandën e Veriut.

Protokolli i Irlandës së Veriut kërkon kontrolle kufitare për çdo produkt me bazë shtazore dhe bimore, duke përfshirë produktet e ngrira të mishit dhe mishit të përpunuar përpara transportit të tyre në Irlandën e Veriut, e cila është në përputhje me rregullat dhe rregulloret e BE-së.

Protokolli krijon një kufi tregtar de facto në Detin Irlandez midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar po shqyrton zgjatjen e periudhës së vullnetit të mirë, e cila lejon kalimin e shumë prej produkteve në Irlandën e Veriut me kontrolle të buta, përtej 30 qershorit, kur do të skadojë.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga blloku më 31 janar 2020 si rezultat i një referendumi të vitit 2016 që i dha fund anëtarësimit të vendit në klubin evropian pas 47 vitesh.

BE-ja, megjithatë, thotë se vazhdimi i njëanshëm do të ishte një shkelje e marrëveshjes së nënshkruar ndërkombëtarisht për Brexit-in.

Marrëveshja e nënshkruar nga palët përfshinte Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili praktikisht shmang një kufi të fortë midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb