Jamie Spears nuk është më kujdestari ligjor i vajzës së tij Britney. Këtë e ka vendosur gjykatësja e Superior Court të Los Angeles, Brenda Penny. Kjo është një fitore e madhe për këngëtaren, e cila kishte bërë një kërkesë për heqjen e kujdestarisë ligjore në seancat dramatike të qershorit dhe korrikut, duke denoncuar kontrollin shtypës të prindit të saj, i cili për 13 vjet e kishte nënshtruar edhe në veprimet e saj më të vogla.

Vendimi shënon hapin e parë drejt revokimit të një instituti ligjor, të përdorur zakonisht për persona shumë të moshuar dhe të paaftë për të kuptuar dhe për të vepruar. Të shumta kanë qenë interesat në lojë, duke pasur parasysh pasurinë e Britney, që vlen 60 milion dollarë dhe potencialin e 39 vjeçares, yll i pop-it, për të dhuruar suksese të reja. Në muajt e fundit Britney kishte refuzuar të kthehej në skenë. Ajo nuk do të këndonte më për qa kohë sa babai i saj do të vazhdonte të kishte rolin e kujdestarit.

Në vend të Jamie gjykatësja emëroi llogaritarin John Zabel, si kujdestarë të përkohshëm të pasurisë së Britney. Ylli i pop-it nuk ka marrë pjesë në seancë.

Seanca e radhës për të shqyrtuar kërkesën e Britney Spears për t’u liruar plotësisht nga kujdestaria ligjore për aksionet e saj është caktuar për 12 nëntor. Avokati i yllit të popit shpjegoi se këngëtarja dëshiron “një tranzicion të rregullt dhe mundësinë për të vendosur një plan për t’i dhënë fund “kujdestarisë” në 30-45 ditët e ardhshme”. Seanca tjetër është caktuar në 13 Dhjetor kur gjyqtarja Penny do të trajtojë çështjet financiare dhe kërkesat e palëve të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb