Skuadra e Çelsit po hedh sytë nga Seria A për të siguruar forcat në sulm për sezonin e ri, pas largimit të belgut Romelu Lukaku. Lojtari që po vështrohet nga blutë, thuhet se është “vrasësi” i Napolit, Viktor Osimhen, që ka shënuar 28 gola në 62 ndeshje me ekipin italian deri tani.

Me këto statistika, nuk ishte shumë befasues interesimi i Arsenalit për nigerianin pak javë më parë. Që atëherë, Arsenal i ka zgjidhur problemet e sulmit dhe ka afruar Gabriel Zhezusin. Megjithatë, Osimhen pa dyshim që do të ishte një sulmues efektiv për Çelsin.

BROJA-OSIMHEN– Sipas “talkSport”, blutë po mendojnë të bëjnë një lëvizje për Osimhenin, me pretendimin se londinezët mund të përdorin interesin e Napolit për Armando Brojën, si një mënyrë për të nënshkruar me nigerianin. Shifra që blutë duhet të paguajnë pritet të jetë rreth 80 milionë paund, por me të ardhmen e pasigurt të sulmuesit të Kombëtares shqiptare te Çelsi, ata mund të jenë në gjendje që të përdorin 20-vjeçarin si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi.

Nëse kjo marrëveshje arrihet, përveç lëvizjes tashmë të përfunduar të Rahem Stërlingut dhe kërkimit të një qendërmbrojtësi, kjo do të ishte një lëvizje shumë produktive për pronarin e ri të Çelsit. Nuk dihet se sa e vlerëson Çelsi Armando Brojën apo nëse Napoli do ta konsideronte atë si pjesë të një marrëveshjeje për Osimhenin.

FAZA PËRGATITORE – Edhe pse pak kohë më parë, Tuhel u shpreh se për të vendosur të ardhmen e sulmuesit shqiptar duhet ta shohë atë në fazë përgatitore, tashmë edhe kjo mundësi është në rrezik. Siç bëjnë me dijë mediat angleze, Broja mund të ndryshojë ekip, të shitet te Njukasëlli apo Uest Hemi, ose të përdoret për të arritur tek Osimheni, dhe kjo duhet të ndodhë përpara fazës përgatitore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: