Në javën që lamë pas Armando Broja ishte në qendër të vëmendjes, sidomos në opinionin shqiptar. Së pari, pasi u la jashtë grumbullimit me ekipin kombëtar dhe më pas fitimi i penalltisë me Chelsean në sfidën ndaj City-t që u dha një pikë bluve.

Bomberi kuqezi dy ditë më parë sqaroi opinionin shqiptar për mungesën në radhët e Kombëtares, duke deklaruar se nuk ka asnjë zënkë me trajnerin Sylvinho, me këtë të fundit që e konfirmoi në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Ishujt Faroe.

Dhe tashmë Broja po bëhet gati për sfidën e radhës në Premier League, ku Chelsea do të përballet me Newcastle në transfertë. Problemet me dëmtimet duken të kaluara dhe shtatlarti shqiptar shpreson gjithnjë e më shumë minuta, pse jo, të projektohet titullar.

Brojës i duhet të tregojë gjithë potencialin e tij në pak më shumë se një muaj, në mënyrë që Blutë e Londrës ta mbajnë në ekip dhe mos e nxjerrin në shitje, njëkohësisht për t’i dëshmuar Sylvinhos se është i nevojshëm për Evropianin e vitit të ardhshëm dhe të shuajë njëherë e mirë të gjitha hamendësimet rreth tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb