Brooke Shields ka folur shumë herë për seksualizimin që ka përjetuar si fëmijë në industrinë e filmit.

Kopertina me foton e saj në moshën 10-vjeçare dhe titulli “Jam e shokuar nga fëmija që çmend meshkujt” e ka stigmatizuar edhe sot e kësaj dite.

Aktorja do të tregojë për abuzimin dhe sulmin seksual në fëmijëri në një dokumentar të ri që transmetohet në Hulu, me titull Pretty Baby.

Ajo e huazoi titullin e dokumentarit nga filmi në të cilin luajti si fëmijë dhe shënoi fillimin e seksualizimit të saj. Në të ajo tregon ndër të tjera marrëdhënien që ka pasur me nënën, reklamat që ka bërë për Calvin Klein, por edhe marrëdhënien që ka pasur me Michael Jackson.

Duke folur për Hollywood Reporter, aktorja deklaroi se në të kaluarën i kishin kontaktuar disa herë për të realizuar një dokumentar, por nuk mendonte se ishte koha e duhur.

“Më kishin kontaktuar shumë herë në të kaluarën për të bërë një dokumentar, por ndjeva se nuk ishte koha e duhur apo qasja e duhur. Nuk doja që të ishte vetëm një gjë autobiografike, por një diskutim më i madh rreth seksualizimit të vajzave” , tha ajo.

“Për dekada kam qenë në qendër të vëmendjes, por gjërat kanë ndryshuar tani. Si nënë e dy vajzave, mund të flas për seksualitetin. Fatkeqësisht, nuk kam pasur kurrë mundësi ta bëj këtë bisedë me nënën time”, ka shtuar më pas ajo.

Në këtë dokumentar, aktorja vendos të flasë për herë të parë për ngacmimet seksuale që iu bënë asaj pak pasi u diplomua në Universitetin Princeton.

“Më janë dashur shumë vite, kam bërë shumë orë psikoterapi që të mund të flas për këtë. Mendoj se më në fund, si shoqëri, po dëgjojmë. U ndjeva gati, ndjeva se duhej të flisja, që vajzat e mia ta dëgjonin. Është diçka që ndodh çdo ditë, kur nuk duhet. E ndava këtë histori për t’u treguar burrave dhe grave që e kanë përjetuar këtë, se mund ta kapërcejnë atë dhe të marrin ndihmë”, tha Brooke Shields.

Siç tha ajo, sipas saj, jo vetëm përvojat e mira të përcaktojnë se kush je si person, por edhe ato të këqijat.“Duke parë dokumentarin, ndihem krenar për gjithçka që kam arritur dhe që kam vazhduar të zhvillohem. Unë jam ende këtu”, tha ajo në mbyllje të intervistës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb