Nga: Aleksandra KOLA

Festa me ekstazi, alkool dhe orgji: një libër që zbulon anën e errët dhe maskiliste të miliarderëve të “ekonomisë së re” që i trajtojnë femrat si gjah, shkruan e përditshmja italiane “Corriere Della Sera”.

Seks, drogë & hi-tech. Mirësevini në mbretërinë e Brotopia, zemra e Silicon Valley ku çdo gjë është e mundur – dhe çdo dëshirë është e lejueshme – sidomos nëse je mashkull i suksesshëm dhe ke shumë para ose aksione. Që ‘nerdët’e Kalifornisë nuk janë shenjtorë nuk është gjë e re: vitin e kaluar gazeta New York Times zbuloi histori të neveritshme ngacmimesh seksuale të ekonomisë së re, shumë më parë se Hollywood të shpërthente me skandalin e producentit të filmave Harvey Weinstein. Por detajet e reja të zbuluara nga prezantuesja e televizionit Bloomberg, Emily Chang, shkojnë shumë më larg dhe rrezikojnë të përfshijnë në këtë skandal të gjithë komunitetin e algoritmit.

Si Kështjella “Playboy”
Përbërësit e përshkruar në librin Brotopia, për Klubin e Djemve të Silicon Valley i cili publikohet në muajin shkurt janë të përhershmit: festa të fuqishme me orgji, alkool dhe shumë drogë. Me sa duket kultura kaliforniane e fëmjëve të luleve është varrosur. Për më tepër, shkruan autorja e librit, këto festa të kujtojnë orgjitë e ofruara nga themeluesi i revistës ‘Playboy’ Hugh Hefner dhe modeleve të tij të Kështjellës Playboy.

Një herë në muaj
Në Silicon Valley quhen “e-party” në respekt të kulturës së vendit por edhe për arsyen se ftesat qarkullojnë vetëm online: përmes e-mailit, twitter dhe snapchat. Ndodhin një herë në muaj, në fundjavë, dhe vendi ndryshon vazhdimisht: apartamente në Pacific Heights në San Francisco, kështjella në Napa Valley, vila përballë detit në plazhin e Malibusë, madje edhe në një jaht afër Ibizës. Protagonistët megjithatë janë gjithmonë të njëjtët: presidentë-themelues, administratorë të deleguar, kapitalistë sipërmarrjesh, drejtues të kompanive më të rëndësishme të teknologjisë së lartë. Këta janë krijuesit revolucionarë me mendje të hapur dhe progresive të kulturës së re digjitale; të dominuar nga meshkujt.

Në ekstraktin e librit të publikuar nga revista Vanity Fair, sqarohet menjëherë se cili është raporti i forcës mes dy gjinive. Pronari i shtëpisë normalisht është një burrë që fton dyfishin ose trefishin e femrave në krahasim me numrin e meshkujve, mundësisht të rinj njëzetvjeçarë, tërheqës dhe të disponueshëm. Duke cituar burime anonime, autorja Emily Chang tregon se festat janë të mbushura nga sasi të mëdha alkooli dhe pilula Ekstazi (të quajtura Molly), shpesh të modeluara me formën e logos së shoqërisë mikpritëse.

«Seks dhe biznes»
Mes të ftuarve ka edhe shumë menaxherë të rinj në karrierë të sektorit sepse në këto lloj festash-seksi “flitet edhe për çështje biznesi, mbyllen marrëveshje”. “Le të themi të vërtetën, nëse shoqërohesh me dikë të rëndësishëm, mund të të hapë dyert. Është pikërisht ajo që duan karrieristët, por nuk i njohin të gjitha rreziqet që lidhen me të – tregon një sipërmarrës i sektorit. Nëse merr pjesë në këto festa, harroje të themelosh ndonjë kompani ose të gjesh dikë që do investojë tek ti. Ato dyer janë të mbyllura. Megjithatë nëse nuk merr pjesë, mbetesh jashtë.” Me pak fjalë është si të ecësh në një territor të minuar. Nuk është për t’u çuditur që vetëm 2% e financimeve të kompanive hi-tech ju shkon femrave sipermarrëse.

«Krenarë»
Sidoqoftë ana e errët e Silicon Valley nuk është aspak sekret. Përkundrazi, “financuesit e mëdhenj, sipërmarrësit e njohur dhe drejtuesit më të lartë ekzekutivë” që marrin pjesë në këto festa, sipas autores së librit, “janë krenarë sesi po përmbysin traditat dhe paradigmat në jetët e tyre private, ashtu siç bëjnë në botën e teknologjisë që drejtojnë”. Në realitet, përsëri është e njëjta gjë: e-party është e planifikuar për të kënaqur fantazitë erotike të meshkujve. Femrat mbeten akoma thjesht gjahu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb