Bashkimi Europian rinisi sot negociatat për t’u bashkuar me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), e cila përcakton të drejtat themelore të njeriut, të zbatueshme në pjesën më të madhe të Europës.

Të 27 vendet anëtare të BE-së janë tashmë të gjitha subjekt i konventës, por jo Blloku, që do të thotë se qytetarët europianë nuk mund të apelojnë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, nëse vetë BE-ja shkel të drejtat e tyre.

“Pranimi do të ndihmojë për të garantuar koherencën dhe qëndrueshmërinë midis ligjit të BE-së dhe sistemit të Konventës”, thanë në një deklaratë të përbashkët sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejcinovic Buric dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova.

Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED), Gjykata e Lartë e BE-së, e ka bllokuar më parë BE-në nga aderimi në konventë.

Konventa administrohet nga Këshilli i Europës, një organ i veçantë paneuropian i përqendruar në të drejtat e njeriut dhe demokraci.

GJED, në një mendim të diskutueshëm të vitit 2014, deklaroi se një marrëveshje pranimi e negociuar midis BE-së dhe Këshillit të Europës ishte në kundërshtim me traktatet që krijojnë BE-në dhe mund të ndikojë në autonominë e sistemit ligjor të Bllokut.

Negociatat e reja do të zgjasin deri të premten.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb