Bashkimi Europian i kërkoi sot Damaskut dhe aleatëve t’i japin fund përshkallëzimit të dhunës dhe bombardimeve kundër civilëve në veriperëndim të Sirisë.

“Përshkallëzimi i dhunës në veriperëndim të Sirisë nga regjimi sirian dhe aleatët duhet të ndërpritet”, deklaroi një zëdhënës i kreut të diplomacisë europiane, Josep Borrell në një komunikatë duke shprehur keqardhje për sulmet ajrore dhe bombardimet ndaj civilëve dhe rrugëve që ndjekin ata për t’u larguar duke shkaktuar shumë të vdekur dhe të plagosur mes civilëve.

“Të gjitha palët e kanë detyrim të mbrojnë civilët”, nënvizoi ai.

Sipas OKB-së, më shumë se 235 000 sirianë janë larguar në dy javë për shkak të intensifikimit të ofensivës së forcave të Damaskut të mbështetura nga aviacioni rus.

Regjimi, që, pas më shumë se tetë viteve luftë, kontrollon më shumë se 70% të territorit, u shpreh i vendosur për të fituar rajonin e Idlebit, i dominuar nga xhihadistët e grupit, Hayat Tahrir al-Cham (HTS).

Bashkimi Europian kërkon një akses humanitar të shpejtë dhe pa pengesa për t’u ardhur në ndihmë tre milionë civilëve që jetojnë në rajonin e Idlebit dhe nënvizoi se lufta kundër grupeve terroriste, ashtu si autorizohet nga Kombete e Bashkuara, nuk lejon të shkelet e ligji humanitar ndërkombëtar dhe as të merren civilët për shënjestër.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb