Komisioni Europian kërcënoi sot Hungarinë me veprim ligjor në lidhje me mbylljen e radios së fundit të pavarur në vend, Klubradio.

Një gjykatë në Budapest vendosi javën e kaluar që stacioni të vazhdonte transmetimin deri të hënën, pasi këshilli mediatik i vendit revokoi licencën e transmetimit të Klubradio.

“Komisioni i dërgoi një letër Hungarisë të premten për të shprehur shqetësimin e tij dhe duke kërkuar që autoritetet hungareze të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur dëmet e pariparueshme”, tha për gazetarët zëdhënësi i Komisionit Europian, Christian Wigand.

“Hungaria duhet të respektojë statutin e BE-së për të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe informacionit. Ne jemi të shqetësuar për situatën dhe po e shqyrtojmë atë në ndikimet e mundshme sipas ligjit të Bllokut”, shtoi ai.

Këshilli mediatik hungarez e arsyetoi vendimin e tij duke argumentuar se Klubradio kishte shkelur një ligj të regjistrimit të detyrueshëm, pavarësisht se kjo shkelje zakonisht ndëshkohet vetëm një gjobë.

Stacioni radio mund të apelojë vendimin, por tani për tani duhet ta ndërpresë transmetimin.

Sidoqoftë, ai premtoi të vazhdojë programin e tij në internet.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb