Organizatat e punëdhënësve nga BE-ja dhe vendet e Mercosur-it bënë thirrje dje në një deklaratë të përbashkët për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes tregtare, e nënshkruar në verën e vitit 2019, por që, aktualisht, është në një ngërç për shkak të frikës në lidhje me pasojat e saj mjedisore.

“Marrëveshja ofron mundësi shumë të mira për ekonomitë dhe shoqëritë e të dy palëve dhe është e një rëndësie thelbësore, jo vetëm për arsye strategjike dhe ekonomike, por edhe nga një perspektivë e qëndrueshmërisë”, shkruajnë bashkënënshkruesit.

“Mundësitë e biznesit të krijuara nga kjo marrëveshje janë gjithashtu të rëndësishme dhe urgjente për rimëkëmbjen nga tronditja e krijuar nga pandemia e COVID-19”, shtojnë ata.

Ata kanë frikë se një vonesë në ratifikim mund të rrezikojë potencialin e plotë të mundësive të ofruara nga kjo marrëveshje, më e rëndësishmja e përfunduar ndonjëherë nga BE.

E përfunduar me bujë të madhe në verën e vitit 2019, pas 20 vitesh diskutime, kjo marrëveshje ka qenë zyrtarisht nën finalizim për 17 muaj, që do të thotë se ajo po rishikohet nga shërbimet ligjore dhe po përkthehet.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb