Ribashkimi i Gjermanisë, 30 vjet më parë, shënoi fillimin e një Europe të re dhe më të fortë, theksoi presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

“Sot, ndërsa qytetarët tanë dhe ekonomitë tona po përballen me sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, duhet të rikujtojmë mësimet e historisë”, shtoi ai.

” Të bashkuar mund të fitojmë çdo sfidë”, nënvizoi presidenti i Parlamentit Europian,David Sassoli në mesazhin e tij në Twitter.

Ribashkimi gjerman ishte një ngjarje e madhe për historinë e Europës, sipas presidentit rus, Vladimir Putin.

Shefi i Kremlinit theksoi se ”ribashkimi i Gjermanisë ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë europiane”.

Gjermania festoi  dje 30-vjetorin e ribashkimit të vendit me pak aktivitete për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Frank-Walter Steinmeier morën pjesë në ceremoninë zyrtare në Ditën e Unitetit Gjerman, që u zhvillua këtë vit në qytetin historik të Potsdamit, rreth 25 kilometra në jugperëndim të Berlinit.

Një program njëmujor që shënon përvjetorin e ribashkimit të kombit drejt fundit të Luftës së Ftohtë ka filluar që në ditët e para të shtatorit në Potsdam.

Zyrtarët në qytetin pritës të këtij viti zgjodhën një varg ngjarjesh më të vogla sesa një festë të madhe publike për të shmangur përhapjen e koronavirusit.

“Ky përvjetor është një rast për gëzim dhe mirënjohje të madhe”, tha Merkel në një fjalim në parlament të mërkurën.

Ajo gjithashtu i bëri homazhe popullit gjerman “për arritjen historike dhe të paparë … të përmbushjes së ribashkimit si brenda ashtu edhe jashtë, gjatë këtyre 30 viteve”.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb