Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcovic i kërkoi sot Britanisë së Madhe të gjejë një kompromis për të zgjidhur tensionet postBrexit në provincën britanike të Irlandës së Veriut, përpara një takimi me ministrin britanik Michael Gove.

“Brukseli është absolutisht i vendosur për të zbatuar marrëveshjen postBrexit për Irlandën e Veriut, pavarësisht disa thirrjeve për t’i zbutur kushtet e saj ose edhe për t’i hequr ato plotësisht”, tha Sefcovic.

“BE do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur paqen në Irlandën e Veriut, siç kemi bërë gjatë dekadave të fundit, si edhe procesin e Brexit”, shtoi ai, duke kërkuar që BM të respektojë angazhimet e saj në zbatimin e protokollit të Irlandës së Veriut.

Duke lënë zyrtarisht Bashkimin Europian në fund të janarit 2020, Britania e Madhe u largua nga bashkimi doganor europian dhe tregu i vetëm në janar 2021, në fund të periudhës së tranzicionit Brexit.

Por provinca e saj e Irlandës së Veriut vazhdon të jetë pjesë e BE, sipas kushteve të protokollit specifik të negociuar në marrëveshjen e ndarjes midis Londrës dhe Brukselit, që përfshin edhe kontrollet mbi transportin e mallrave që mbërrijnë në provincën britanike nga BM.

Kjo zgjidhje u miratua për të shmangur kthimin e infrastrukturës kufitare midis provincës britanike dhe Republikës së Irlandës, pika të fërkimit gjatë tri dekadave të përgjakshme midis Unionistëve dhe Republikanëve, që përfunduan në 1998.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb