Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik, Boris Johnson konfirmuan, në përfundim të një bisede, mosdakordësi të konsiderueshme për arritjen e një marrëveshjeje post Brexit, para një rifillimit të negociatave në Londër.

Kjo bisedë telefonike, e treta mes dy drejtuesve në më shumë se një muaj, kishte për qëllim të bënte një vlerësim të “gjendjes së lojës” të bisedimeve mes Londrës dhe Brukselit, pas dy javësh diskutimesh intensive që nuk mundësuan afrimin tek një marrëveshje, duke rritur kërcënimin për një “no deal” shkatërrues.

“Disa avancime janë bërë, por mosmarrëveshje të mëdha ekzistojnë, veçanërisht në sektorin e peshkimit dhe garancitë që kërkon BE përsa i përket konkurrencës”, nënvizoi Von der Leyen në Twitter.

“Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë shumë javën e ardhshme dhe ne do të mbetemi në komunikim të ngushtë në ditët e ardhshme”, shtoi shefja e ekzekutivit europian.

Konstatim i ngjashëm edhe nga ana e Downing Street: “Mosmarrëveshje të mëdha ekzistojnë për një numër çështjesh duke përfshirë këtu peshkimin dhe të ashtuquajturën kornizë të pa shtrembëruar për konkurrencën”, nënvizoi një zëdhënës në një komunikatë.

Dy drejtuesit pranuan të mbeten personalisht në kontakt dhe ranë dakord që ekipet negociatore të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme në Londër, duke filluar nga e hëna”, theksoi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb