TIRANE– Banka e Shqipërisë raporton se, sipas skenarit bazë, raporti i kredive me probleme për periudhën 2015-2016 do të përmirësohet gradualisht. Ecuria e këtij raporti në fund të vitit 2015 ndikohet ndjeshëm nga procesi i fshirjes nga bilanci të kredive të humbura në bazë të kërkesës rregullative që hyn në fuqi në janar 2015. Ky efekt i akumuluar, mbartet edhe gjatë vitit 2016 dhe përforcohet më tej nga qëndrueshmëria ekonomike, norma të ulëta të interesit dhe përmirësimi gradual i aktivitetit kreditues në vend.

Trajektorja e ecurisë së cilësisë së kredisë, reflekton edhe ndikimin që vjen nga pagesa e faturave të prapambetura të qeverisë, si dhe përmirësimi në terma të ekzekutimit të kolateralit në vijim të ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga autoritetet.

Në rastin e skenarëve të rënduar, efekti i kombinuar i përkeqësimit të aktivitetit ekonomik, nënçmimit të kursit të këmbimit dhe rritjes së normës së interesit në rastin e skenarit të parë të rënduar, reflektohet në rritjen (përkeqësimin) e raportit të kredive me probleme me 6 pikë përqindje në fund të vitit 2015 dhe 14 pikë përqindje në fund të vitit 2016, në krahasim me skenarin bazë. Në skenarin e dytë të rënduar, raporti i kredive me probleme përkeqësohet me 13.2 pikë përqindje në vitin e parë të ushtrimit dhe 23.7 pikë përqindje në vitin e dytë, në krahasim me skenarin bazë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb