TIRANË- Banka e Shqipërisë publikoi përmbledhjen e të rejave shkencore në sistemin bankar përgatitur nga ekspertë të fushës së bankingut.

Sipas BSH-së, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, disa nga materialet e prezantuara kanë pasur në fokus të tyre çështje të ndryshme si: eficienca e shpërndarjes së kredisë; përçimi i politikës monetare në Shqipëri; dhe ndërlidhja ndërmjet zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike.

Një përmbledhje e temave të prezantuara janë : “Efiçienca e shpërndarjes së kredisë: një aplikim i vlerësimit të densitetit Kernel mbi të dhënat e sistemit bankar në Shqipëri”, nga Altin Tanku, Kliti Ceca dhe Elona Dushku, Departamenti i Kërkimeve. Ky seminar hulumtoi efiçiencën e alokimit të kredisë në Shqipëri. Autorët fokusohen në portofolin e kredisë bankare (kredisë akorduar bizneseve) për të vlerësuar nëse shpërndarja sektoriale e kredisë pas vitit 2008 reflekton tendencat e sektorëve (në terma të zgjerimit), performancën e portofolit të kredisë dhe karakteristikat e bankave.

Studimi “Efektet makroekonomike të përçimit të politikës monetare nëpërmjet qasjes së kufizimit të shenjës, në rastin e Shqipërisë”, nga Gerti Shijaku, Departamenti i Kërkimeve, analizon mekanizmin e transmetimit të politikës monetare në Shqipëri, gjatë periudhës 2002 M01-2014 M12. Pyetja kryesore trajton efektet makroekonomike të përçimit të një goditjeje të politikës monetare, përfaqësuar nga ndryshimet në normën bazë të interesit dhe ndryshimet e mundshme të politikave të bilancit kontabël.

“Analizë e lidhjes mes zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike. Një vështrim i Evropës Juglindore”, nga Arlind Rama, Departamenti i Kërkimeve ka si qëllim të analizojë lidhjen mes zhvillimit financiar dhe rritjes ekonomike në një grup përfaqësues prej 10 ekonomish të rajonit, duke aplikuar metodën e të dhënave panel në një horizont kohor nga viti 2002 deri në vitin 2014 me të dhëna në frekuencë vjetore.

Autori synon të vlerësojë nëse implementimi i kuadrit rregullativ dhe reformat e vazhdueshme në sistemin financiar implementuar në dekadën e fundit kanë kontribuar në drejtim të rritjes së rëndësisë që zhvillimi financiar ka për rritjen ekonomike.

Seti i Kërkimit Shkencor ne BSH, përmbledh edhe studime të tjera me tema nga fusha sensitive që lidhin aksesin e bankingut, financave në rritjen ekonomike./ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb