TIRANË- Të dhënat nga Banka e Shqipërisë evidentojnë se niveli i kredive me probleme regjistroi një tjetër ulje të fortë në fund të vitit 2015, duke arritur në nivelin 17.6%, nga 20% që ishte në 6-mujorin e dytë 2015.

Ekspertët e bankingut shprehen se, ky është niveli më i ulët i kredive me probleme që nga korriku i vitit 2011. Sipas tyre, ky rezultat i uljes së kredive me probleme në nivelin më të ulët në katër vjet e gjysmë është arritur, në një masë të madhe, nga fshirja ose nxjerrja jashtë bilancit, të kredive të humbura pa shpresë kthimi. Sipas të dhënave të BSH-së, vetëm gjatë muajit dhjetor kreditë me probleme janë ulur me 2.3 pikë përqindjeje. Kjo, argumentojnë ekspertët, lidhet me pastrimin e mëtejshëm të bilanceve të bankave në fund të vitit, por edhe me ristrukturimin e kredive në vlera të mëdha.

Ekspertët vlerësojnë se pavarësisht nga mënyrat, fakti është se për vitin 2015 niveli i kredive me probleme është ulur edhe përtej pritshmërive. Ndërsa Banka e Shqipërisë është e vendosur dhe ka si objektiv uljen e kredive me probleme pranë nivelit 15%.

Përmirësime të mëtejshme priten gjatë vitit 2016, me zgjerimin e masave në kuadrin e Planit Kombëtar për uljen e kredive të këqija. Krahas uljes së kredive me probleme, sistemi bankar për vitin 2015 ka regjistruar fitime rekord në vlerën e 15.7 miliardë lekëve, në rritje me 40% krahasuar me vitin 2014. Rritja e fitimeve ka ardhur falë stabilizimit të kredive me probleme, por edhe falë uljes së ndjeshme të interesave të depozitave.

Sistemi bankar në vend konsiderohet i qëndrueshëm dhe likuid. Misioni i BSH-së mbetet ruajtja e stabilitetit financiar dhe inflacionit në nivelin 3%.
(ma.ar/ATA/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: