Mbeten edhe pak ndeshje nga sezoni i rregullt i NBA dhe skuadrat kryesuese në dy konferencat po mbrojnë vendet e para. Kështu, në Lindje, Milwaukee Bucks mbron kreun pas fitores 126-117 në fushën e Detroit Pistons. Edhe pse pa liderin Antetokounmpo, skuadra e Bucks bëri një ndeshje të mirë, ku u dallua Middleton, autor i 34 pikëve.
Në krye të renditjes në Perëndim ndodhet ekipi i Denver, që fitoi 116-111 ndaj Philadelphias, dy ekipe pretendente në konferencat përkatëse. Nikola Jokic ishte protagonist me një “triple double”, 25 pikë, 17 rebound, 12 asist. Nuggets morën fitoren e katërt radhazi dhe mjaftojnë edhe dy fitore për të qëndruar në krye në fund të sezonit të rregullt.
Po në Perëndim, rikthehet te fitorja skuadra e Dallas Mavericks, që mundi 127-104 Indiana Pacers, ndeshje ku diferencën e bëri Luka Doncic, autor i 25 pikëve. Fiton edhe Phoenix Suns, që falë 24 pikëve të Booker mundi 117-103 Utah Jazz.
Ndërsa Clippers mposhtën 124-112 Chicago, ndeshje ku u dalluan Batum me 24 pikë, mbështetur nga Leonard e Gordon me nga 22 pikë secili. Minnesota, falë një loje të mirë kolektive (7 lojtarë mbi 10 pikë), mundi 119-115 Sacramento.
(BalkanWeb)